Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca u shpreh se Gjykata Kushtetuese është kusht i domosdoshëm për konferencën e parë ndërqeveritare me BE.
“Shqipëria shumë afër përmbushjes së të gjitha kushteve. Mendoj se gjëja e rëndësishme që duhet të jetë dhe të bëhet super urgjente, është përmbushja e vendeve në Gjykatën Kushtetuese”, tha ambasadori Soreca.
“Të kemi dy kandidatë para fundit të vitit, është kusht i domosdoshëm që të bëhet konferenca e parë ndërqeveritare. Të gjithë, shtetet anëtare, ambasada po presin që kjo gjë të ndodhë kështu që është e qartë që është e nevojshme, e domosdoshme, urgjente që të punohet nga Këshilli Emërimit të Drejtësisë dhe të gjitha autoritetet e tjera që të bëjnë të pamundurën në mënyrë që të kapim trenin, në lidhje me Konferencën Ndërqeveritare”, u shpreh ambasadori Soreca.
Ai u shpreh se nevojiten të emërohen gjashtë gjyqtarë pasi ky është korumi i Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjit për këtë çështje.
“Po hymë në fakt në një periudhë katër-javore shumë interesante duke filluar që nga dita e sotme. Pasi sot në këtë moment që ne po flasim, ka takime të ambasadorëve të Bashkimit Evropian, të shteteve anëtare në BE dhe këto katër deri në gjashtë javë në vijim do të jenë shumë të rëndësishme për shtetet anëtare që ata të ndjekin më pas konstatimet e Komisionit Evropian në raportin e vet dhe të marrin vendimin e tyre që është unanim”, tha ambasadori.
“Ju mund të më quani optimist, unë jam pragmatist dhe ka ende shanse që në rast se përmbushet kushti i Gjykatës Kushtetuese, shtetet anëtare mund të vlerësojnë përpjekjet që do të ketë bërë Shqipëria dhe përpjekje të cilat deri më tash janë njohur nga shtetet anëtare në shumë fusha të ndryshme dhe kështu i jepet mundësia Shqipërisë dhe që t’i bëhet thirrje Gjermanisë që të organizojë Konferencën”, përfundoi ai për Euro News.
Diskutime rreth kësaj post