Bar njëmijëfletëshi është një bimë medicinale me famë. Emri botanik i saj është Achillea millefolium ose Mijëfletëshi i Akilit, luftëtarit të pamposhtur dhe guximtar të mitologjisë së vjetër Greke.
Legjendat thonë që Akili e leu trupin e tij me një lëng të prodhuar nga bari i njëmijëfletësisht dhe përfitoi një mburojë natyrale kundër sulmeve të armiqve. Ai ishte i pamposhtur përveç se në thembër.
Grumbulluesit e bimëve medicinale në Shqipëri e mbledhin këtë bimë kryesisht për eksport, por edhe për kërkesën e tregut vendas. Në Shqipëri njihet me emra Bar mijëfletësh, bar i pezmit, mijëgjethësja, bar noxël (Kruje), ermenë (Libohovë), bishtamith (Orosh).
Lulet dhe gjethet e mijëfletëshit mund të konsumohen ose pihen si çaj. Gjethet e freskëta përdoren për të ndaluar gjakderdhjen nga plagët, trajtuar problemet gastrointestinale, ulur temperaturën dhe përmirësuar qarkullimin e gjakut.
Gjethet e freskëta të kësaj bime mjekësore mund të përtypen si një kurë natyrale kundër dhimbjes së dhëmbit. Shkencëtarët janë të mendimit që kjo bimë mjekësore i bën mirë të gjithë organizmit. Shumë studime të tjera thonë që mijëfletshi përmirëson qarkullimin e gjakut në organet riprodhuese dhe spazmat.
Vlerat e mijëfletëshit
Lufton bakteret. Mijëfletëshi përmirëson tretjen, parandalon formimin e gurëve të tëmthit dhe arrin të inkurajojë nxjerrjen e infeksioneve nga këto organe nëpërmjet rritjes së frekuencës së urinimit.
Çliron frymëmarrjen. Mijëfletëshi ka një efekt tharës dhe hap rrugët e bllokuara të frymëmarrjes, çliron nga kolla dhe infeksionet e sinozitit.
Kundër alergjive. Mijëfletëshi është shumë i dobishëm kundër alergjive, sidomos me sekrecionet e hundëve, përlotjen e syve që shkaktohet nga myku, pluhuri, poleni dhe pushi. Në rastet e temperaturës, të ftohtit dhe gripit , mijëfletëshi inkurajon djersitjen dhe nxjerrjen jashtë të infeksioneve.
Lufton inflamacionin. Vajrat esencialë të mijëfletëshit përdoren në trajtimin e reumatizmës dhe sëmundjeve të tjera të kyçeve.
Përmirëson tretjen. Mijëfletëshi ndihmon në kurimin e të ftohtit, dhe përmirëson tretjen. Kjo bimë medicinale përmirëson sekretimin e enzimave dhe lëngjeve tretëse duke rritur oreksin dhe rregulluar tretjen.
Mijëfletëshi njihet si një bimë medicinale që përdoret së brendshmi dhe së jashtmi. Bima e plotë, e thatë ose e freskët mund të përdoret, megjithatë sugjerohet që ajo të këputet sapo ka nisur të lulëzojë.
Gjethet e mijëfletëshit mund të hahen të gatuara ose të freskëta. Shija e tyre është e hidhur, por kur kombinohen me sallata shijojnë shumë. Sugjerohet që të përdorni gjethe të freskëta dhe të vogla. Lulet dhe gjethet mund të përdoren edhe në përgatitjen e çajrave aromatikë, ndërkohë që vajrat esencialë që gjenden tek gonxhet i japin shije pijeve të ndryshme.
Çaji i mijëfletëshit është një zgjidhje e përkryer për të ulur ankthin, tensionin e gjakut dhe qetësuar frymëmarrjen.
Receta e çajit të mijëfletëshit
Lulet, gjethet dhe bishtat mblidhen dhe thahen duke krijuar bimën medicinale që ne përdorim. Çaji i mijëfletëshit mund të jetë i hidhur, ndaj mos hezitoni të përdorni mjaltë dhe limon që të përfitoni edhe vitaminën C.
Përbërësit:
1 lugë gjelle me mijëfletësh të tharë, ose 3 gjethe të freskëta
1 filxhan me ujë të vluar
1 lugë çaji me mjaltë
1 copë limon
Udhëzimet:
Lëreni mijëfletëshin të qëndrojë në ujë për 10 minuta. Nëse dëshironi mund t’i hiqni gjethet ose ta kulloni lëngun. Shtoni mjaltë dhe/ose limon sipas dëshirës. Përzijeni dhe shijojeni.
Diskutime rreth kësaj post