Nga Elton Qyno
Më 22 korrik, kryeministri Edi Rama publikoi në faqen e tij në Facebook videon e arrestimit të tre inspektorëve të hetimit tatimor, si shembull të fushatës së tij post-zgjedhore për spastrimin e administratës nga zyrtarët arrogantë dhe të korruptuar.
Operacioni policor u krye pas mesazhit që një tregtare nga Kavaja i dërgoi Ramës, ku denonconte gjobitjen arbitrare me 40 mijë lekë nga punonjësit tatimorë.
24 orë nga denoncimi, policia e Tiranës arrestoi me akuzën e korrupsionit inspektorët Ermal Harizaj, Ervin Pupuleku dhe Arben Disha, ndërsa kryeministri i etiketoi ata si “grabitqarë” dhe “Armiku nr.1 i popullit”.
“…Ky vend jo vetëm duhet, por mund të shpëtojë njëherë e mirë nga ky soj i ulët grabitqarësh të paguar me taksat tona, që torturojnë viktima të pafajshme, njollosin gjithë punonjësit e administratës dhe turpërojnë shtetin shqiptar,” shkroi më pas Rama në Facebook.
“Kjo bëhet duke ndërtuar koalicionin e madh të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm…”, shtoi ai, duke nxitur qytetarët të denoncojnë.
Nxitja e fushatës së denoncimeve nga qytetarët e zakonshëm nuk është një aksion i ri politik i Ramës. I aplikuar edhe gjatë mandatit të tij të parë, lëvizja ngjall pak optimizëm për rezultete të ndryshme në sfidën e luftës kundër korrupsionit, veçanërisht ndaj atyre që konsiderohen “peshqit e mëdhenj”.
Pas arrestimit të bujshëm të tre inspektorëve tatimorë, çështja i ka kaluar Prokurorisë së Kavajës për hetime të mëtejshme. Por ndryshe nga kryeministri, prokurorët janë dyshues nëse mund të korrin sukses para gjykatës me raste të tilla.
“Çështja është shumë delikate për t’u provuar në gjykatë, për shkak se në dosje mungojnë një sërë veprimesh hetimore që duhej të kryheshin para arrestimit,” tha për BIRN një prokuror në kushtet e anonimatit.
“Denoncuesja thotë u dhashë 400 mijë lekë, ndërsa të arrestuarit thonë të kundërtën. Nuk mund të shkojmë në gjykatë dhe të kërkojmë burg për këdo, vetëm me kallëzimin e një shtetaseje,” shtoi ai.
Fenomeni i korrupsionit është kthyer në gangrenë për shoqërinë shqiptare dhe një ndër pengesat kryesore që mban peng aspiratat e vendit për t’u integruar në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, thuajse të gjitha qeveritë e tranzicionit në Shqipëri e kanë përdorur “kartën antikorrupsion” si medalje për t’u ngjitur në pushtet ose për ta mbajtur atë.
Fushata e “bashkëqeverisjes me qytetarët” është një evokim live i platformës së mëparshme online antikorrupsion, të promovuar gjatë mandatit të parë qeverisës së Ramës.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se ndonëse qytetarët denoncuan masivisht në këtë platformë, rezultati i adresimit dhe i zgjidhjes së ankesave përmes institucioneve ligjzbatuese mbetet i ulët.
Një raport i publikuar për nismën “Stop Korrupsionit” tregon se qeveria ka marrë më shumë se 17 mijë ankesa nga qytetarët përgjatë viteve 2015-2017. Raporti thekson gjithashtu se 1383 denoncime ose 8 për qind e totalit lidheshin direkt me korrupsionin. [kliko këtu për raportin]
Megjithatë, nga ky lumë ankesash qeveria deklaron se ka referuar në prokurori për hetime të mëtejshme vetëm 100 raste.
Lutfi Minxhozi, drejtor i seksionit kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit në Policinë e Shtetit i tha BIRN se qytetarët shqiptarë nuk e denoncojnë korrupsionin në fazën paraprake. Kjo sipas tij, lidhet me penalitetet që parashikon ligji jo vetëm për zyrtarin, por edhe për kallëzuesin.
“Nga analiza e të dhënave tona, në shumë raste personat që kanë dijeni janë edhe vetë të përfshirë në afera korruptive, pasi interesi për përfitime të paligjshme është i të dy palëve. Ndaj dhe përgjegjësia penale është për të dy palët,” tha Minxhozi.
Pavarësisht këtij fakti, Policia e Shtetit raporton se ka kryer hetime për qindra raste korrupsioni dhe i ka dorëzuar Prokurorisë një numër të madh kallëzimesh për këtë krim.
Zyrtari i lartë i Policisë i tha BIRN se sektori për Hetimin e Korrupsionit kishte evidentuar 970 vepra penale me rreth 1431 të dyshuar në vitin 2016 dhe 501 vepra penale me 722 autorë të dyshuar deri në qershor 2017.
Për të dy vitet, Minxhozi pohon se i ka dërguar Prokurorisë për hetime të mëtejshme 745 zyrtarë të dyshuar.
Kallëzimet e qeverisë dhe ato të Policisë së Shtetit gjejnë reflektim fare të vogël në të dhënat statistikore të procedimeve penale apo çështjeve të gjykuara, që BIRN i siguroi në Prokurorinë dhe Gjykatën për Krime të Rënda-përgjegjëse për luftën e korrupsionit mes zyrtarëve të lartë.
Ndërkohë, numri voluminoz i kallëzimeve duket se kanë të bëjnë më së shumti me zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të ulët, të cilët ndiqen nga prokuroritë e rretheve.
Një fakt i tillë vihej në dukje edhe në progres-raportin e fundit të Komisionit Europian, ku ndonëse vërehej një rritje statistikore e çështjeve, theksohej se “këto raste përfshijnë vetëm zyrtarë të ulët dhe të mesëm”.
Të dhënat e siguruara nga BIRN në Prokurorinë e Krimeve të Rënda tregojnë se për veprën penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë janë regjistruar 19 procedime penale në vitin 2014, 35 procedime penale në vitin 2015 dhe 32 procedime në vitin 2016.
Numri i çështjeve kundër zyrtarëve të lartë është rrudhur më tej rrugës për në gjykatë, ndërsa Prokuroria raporton 12 çështje të gjykuara në Gjykatën e Krimeve të Rënda për vitet 2014-2016.
Ndërsa për vitin 2017, në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka mbërritur vetëm një çështje, ku nën akuzë është një prokuror i Dibrës, i denoncuar në emisionin “Fiks Fare”.
Një prokuror i Krimeve të Rënda, i intervistuar nga BIRN në kushtet e anonimatit ia faturon policisë, numrin e ulët të kallëzimeve për korrupsion në vitin 2017. Ai e lidh këtë fakt me situatën zgjedhore-kohë kur ritmi i policisë bie dhe askush nuk merret me korrupsionin.
“Shumë pak nga dosjet e regjistruara kanë ardhur me referencë nga Policia e Shtetit. Ato janë regjistruar nga rastet e denoncimit të veprimeve korruptive në media, të referuara nga prokuroritë e rretheve dhe dy raste janë që janë ndjekur nga vetë kallëzimi i qytetarëve,” shton prokurori.
Në Policinë e Shtetit , ndonëse besohet se janë tejkaluar objektivat e programit vjetor kundër korrupsionit, shpresat për rezultate më të mira janë varur tek reforma në drejtësi.
“Ngritja e strukturave të specializuara, në Gjykatë, Prokurori dhe Polici, sipas parashikimeve të legjislacionit të miratuar në kuadrin e reformës në sistemin e drejtësisë, besojmë se do të rrisë rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe efikasitetin për parandalimin e tij…,” tha Lutfi Minxhozi për BIRN.
Diskutime rreth kësaj post