Megjithëse një vend i vogël, me ekonomi të prapambetur dhe në dukje, pa ndonjë interes ekonomik në SHBA, Shqipëria e vogël ka aktualisht gjashtë dosje aktive në zyrën e regjistrimit të agjentëve të huaj në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, ndërkohë që vende si Britania e Madhe e India kanë nga pesë secila.
Nga Gjergj Erebara, BIRN
Partia Socialiste punësoi një lobist në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 13 prill, duke e rritur numrin e agjentëve të huaj që përfaqësojnë interesa ‘shqiptare’ në gjashtë, në listën e Departamentit të Drejtësisë për agjentët e huaj. Sipas kontratës së publikuar, Partia Socialiste do t’i paguajë kompanisë Ballard Partners 20 mijë dollarë në muaj për 12 muaj rradhazi, gjithsej mbi 240 mijë dollarë. Kjo është një shumë e majme dhe dukshëm disproporcionale me buxhetin që Partia Socialiste pretendon se ka në një vit normal. Për shembull, socialistët deklaruan se për vitin 2016 kishin 86 milionë lekë të ardhura dhe 73 milionë lekë shpenzime. Por e njëjta parti, ka vendosur të shpenzojë 240 mijë dollarë, (plot 30 milionë lekë) ose sa 40 për qind e të ardhurave të deklaruara vjetore të vitit 2016, për të përmirësuar marrëdhëniet që ka me Shtetet e Bashkuara.
Para Partisë Socialiste, qenë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim që paguan shuma të majme për të lobuar në Shtetet e Bashkuara.
Partia Demokratike ka aktualisht tre dosje në regjistrin e lobuesve. Dosja e parë i përket kontratës me kompaninë Muzin, në bazë të së cilës, PD angazhohet të paguajë 75 mijë dollarë për tre muaj. PD ka aktualisht edhe dy kontrata të tjera aktive, një me kompaninë Barnes & Thornburg, me vlerë 150 mijë dollarë dhe një tjetër me kompaninë Baron Public Affairs me vlerë 45 mijë dollarë. Në total, PD duket se po shpenzon mbi 270 mijë dollarë për lobim. PD ka deklaruar të ardhura totale për vitin e kaluar prej 57 milionë lekësh kështu që pagesa e 270 mijë dollarëvë, e barazvlefshme me gati 34 milionë lekë për lobim në SHBA tregon se çfarë peshe disproporcionale një parti politike shqiptare i jep lobimit.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë më aktivja gjatë vitit të fundit në lobim në SHBA. Sipas një investigimi të mëparshëm të BIRN, LSI ka paguar mbi 300 mijë dollarë për lobim, ndërsa deklaroi tre herë më pak në Shqipëri.
Në listën e lobuesve janë edhe dy qytetarë privatë, Albert Sino dhe Aurel Baçi, të cilët, sipas dokumenteve të dorëzuara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, kanë paguar 50 mijë dollarë për të lobuar për pozicionin e tyre si aksionerë në Top Channel “në SHBA dhe në rang ndërkombëtar”.
Në total, vetëm kontratat aktualisht aktive të lobimit në Uashington kanë kosto të përgjithshme prej 800 mijë dollarësh. Këto nuk janë paratë e vetme të shpenzuara nga partitë politike shqiptare për lobim në SHBA. Përgjatë viteve 2009, 2010, partitë politike shqiptare dhe qeveria shqiptare e kohës shpenzuan së bashku afro 1.4 milionë dollarë për këtë arsye.
Aktiviteti i lartë lobues i politikës shqiptare në SHBA është paksa i çuditshëm. Volumi i parave të shpenzuara përgjatë viteve të fundit është i stërmadh ndërsa temat e lobimit duken në rastin më të mirë, personale dhe qesharake.
Departamenti Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës regjistron që nga viti 1938 të gjithë personat amerikanë që veprojnë si agjentë që përfaqësojnë interesat e fuqive të huaja me “kapacitet politik ose thuajse politik”. Sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, njohur nga akronimi në anglisht FARA, personat në Shtetet e Bashkuara që veprojnë si agjentë të zyrtarëve të huaj, duhet të deklarojnë në mënyrë periodike marrëdhëniet që kanë me zyrtarin e huaj, si dhe të ardhurat që kanë pasur nga ky lloj aktiviteti.
Axhendë personale apo interes publik
Kontratat e politikanëve shqiptarë me lobuesit amerikanë përmbajnë, përveç kostove, edhe objektin e punës që lobuesi do t’i ofrojë të lobuarit. Kështu, kontrata e Partisë Socialiste shkruan se kompania Ballard Partners do të advokojë për Partinë Socialiste para qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara për çështje të tilla si “forcimi i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, fuqizimi i institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit, promovimit të reformës në drejtësi,” etj. Është e paqartë se pse ‘reforma në drejtësi’ ka nevojë të promovohet në Shtetet e Bashkuara, vendi që kontribuoi në mënyrë vendimtare në hartimin dhe miratimin e kësaj reforme si dhe po kontribuon përmes Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit në zbatimin e saj.
Kontratat e Bashës kanë përmbajtje të ngjashme. Kontrata me kompaninë Barnes & Thorburn thotë se këshilluesi do të ndihmojë klientin në “lehtësimin e takimeve dhe komunikimeve mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara si dhe për të advokuar për objektivin e deklaruar të Partisë Demokratike për sigurimin dhe mbështetjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare”. Duket e çuditshme se si Shtetet e Bashkuara kanë nevojë t’u shpjegohet rëndësia e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një objektiv që SHBA-të e kanë të shpallur në Shqipëri dhe në të gjithë botën.
Lëvizja Socialiste për Integrim dukej se qe më e sinqertë në kontratën e saj me McKeon Group. Qëllimi i specifikuar i kontratës së lobimit qe sigurimi i ftesës për liderët e LSI-së në inaugurimin e presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump më 20 janar 2017 dhe sigurimi i takimeve me liderë politikë gjatë vizitës për inaugurimin e presidentit. Duket se LSI nuk e dinte, dhe konsulenti i saj nuk ia shpjegoi, se në ceremoninë e inagurimit të një presidenti në SHBA, protokolli përcakton ftesë vetëm për ambasadorët e vendeve të tjera ndërsa qytetarët mund të blejnë një ftesë për të ndjekur ceremoninë nga afër nëpër rrugët e Uashingtonit.
Në listën e Departamentit të Drejtësisë ka aktualisht 516 lobues të regjistruar nga të katër anët e botës, por ajo që bie në sy është që shumica dërrmuese e lobuesve i përkasin grupeve të biznesit, korporata të mëdha shumëkombëshe apo institucione për promovimin e turizmit. Ndryshe është rasti i Shqipërisë dhe shumë vendeve të ngjashme, ku lobimi është për funksion të “përmirësimit të marrëdhënieve” mes një partie politike dhe Shteteve të Bashkuara, por që në përgjithësi, janë kontrata që synojnë të sigurojnë takime kortezie në qeveri apo në senat ose kongres të Shteteve të Bashkuara, takime që u shërbejnë udhëheqësve politikë për t’i përdorur për reklamë pas në shtëpi ndaj një publiku që besohet se nuk e dallon shumë thjeshtë se çfarë mund të blihet me para në SHBA dhe çfarë jo.
Britania e Madhe ka aktualisht pesë agjentë të regjistruar. Nga këto, disa janë kompani, njëra është Autoriteti Britanik i Turizmit i cili ka për objektiv të lobimit, promovimin e udhëtimeve turistike në Britaninë e Madhe si dhe ambasada e Britanisë në Uashington. India, një vend me mbi 1 miliardë banorë, ka gjithsej pesë lobistë të regjistruar, ka gjithsej pesë lobistë aktivë. Vende të tjera me interesa të shumëfishta ekonomike, tregtare e politike me Shtetet e Bashkuara kanë më shumë lobistë se kaq, por më së shumti, këta lobistë përfaqësojnë interesat e korporatave të mëdha private. Japonia, psh, ka mbi 50 lobistë, shumica dërrmuese për interesa komerciale.
Ndryshe nga Shqipëria, ku lobistë janë vetëm tre parti të regjistruar dhe dy qytetarë privatë që kanë mosmarrëveshje pronësie.
Politikanët e shumë vendeve me kredenciale të pakta demokratike paguajnë lobues në Uashington me shpresë se do të mund të ndryshojnë politikën e Shteteve të Bashkuara. Qeveria e Kosovës, p.sh, ka aktualisht katër kontrata aktive pavarësisht se Shtetet e Bashkuara konsiderohen si mbrojtësi dhe partneri strategjik më i rëndësishëm i vendit e rrjedhimisht, vështirë se mund të ketë nevojë të ‘lobohet’ nga qeveria e Kosovës. Edhe partia VMRO DPMNE, e ish-kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski është duke shpenzuar aktualisht 50 mijë dollarë në muaj për të lobuar pranë qeverisë amerikane.
Shumat e stërmëdha të parave të paguara për lobim, përveç faktit që bien në kontrast me buxhetet pakta që tre partitë kryesore deklarojnë si të ardhura e shpenzime formale në Shqipëri, nuk duket se kanë sjellë ndonjë përfitim tjetër veç fotove rastësore me zyrtarë të nivelit të ulët apo të mesëm.
Diskutime rreth kësaj post