Prej kohësh në korridoret e Partisë Socialiste flitej për një klimë jo fort të qetë, ndërsa duket se tashmë me nisjen e vitit të ri ato kanë shpërthyer edhe në publik.
Procesi i ristrukturimit të PS-së, i nisur disa kohë më parë, por që nuk dihet se kur do të përfundojë, ka nxjerrë në pah përplasjet që po zhvillohen në kulisat e brendshme të partisë.
Ben Blushi deklaroi sot se “Rilindja” ka falimentuar, duke e argumentuar me përkeqësimin e situatës në vend në disa drejtime.
Duke mos u ndalur me kaq, ai shigjetoi akoma më tej Edi Ramën per zgjedhjet në Partinë Socialiste, duke nënvizuar se edhe diktatori Enver Hoxha zgjidhej çdo katër vite në krye të Partisë.
Blushi, edhe pse nuk e përmendi me emër sulmoi sot edhe Koço Kokëdhimën, duke thënë se: “Ka zona në Shqipëri ku deputetë fatkeqësisht të PS-së shkojnë dhe emërojnë njerëz pa zgjedhje, caktojnë njerëz sikur të kenë biznes privat se kush do të jetë delegat, kush do marrë pjesë në Kongres, kush është anëtar partie dhe kush jo. Ky nuk është biznes privat nuk ka ardhur koha që PS-në ta japim me koncesion. Në zona të caktuara PS po jepet me koncesion, po trajtohet si biznes privat. Por jo e gjithë PS mund të jetë biznes privat”, tha Blushi.
Ben Blushi është ai që ka marrë flamurin e kritikuesit të Ramës, jo vetëm si kryeministër, por edhe si kryetar partie, ndërsa duket se tashmë në një linjë me të janë edhe disa deputetë të tjerë socialistë.
Blushi ka kërkuar publikisht mbajtjen e zgjedhjeve brenda partisë, ndërsa kjo kërkesë e tij është mbështetur, herë publikisht e herë nën zë, edhe nga numri dy i PS-së Gramoz Ruçi.
Ky i fundit, duket se po ndjen lëkundjen e pozitave të tij në selinë rozë. Raporti i ngushtë që ekziston mes Ramës dhe deputeti Koço Kokëdhima po shihet si një “kërcënim” nga ana e Ruçit për ndikimin e tij në parti dhe në jugun e vendit.
Kritikat e para dhe që e ndanë grupin parlamentar socialist erdhën pas propozimit të Kokëdhimës për të shtyrë kongresin e PS.
Kjo gjë solli edhe përplasjen e parë mes Ruçit e Ramës, ndërsa kundër propozimit të Kokëdhimës dolën edhe disa prej ministrave të qeverisë si Saimir Tahiri apo edhe Ditmir Bushati.
Por Kokëdhima duket se ia arriti të fitonte në heshtje, pasi Kongresi nuk u zhvillua gjatë këtij muaji dhe është lënë të zhvillohet në muajin mars.
Ruçi nuk e ka pëlqyer aspak faktin që në jugun e vendit ku ai pati qenë i plotfuqishëm tashmë duhet ti bëjë llogaritë më Kokëdhimën.
Kokëdhima deri tani ka në dorë të gjitha emërimet në administratën e bashkive të jugut, ku shumica e kryebashkiakëve kandiduan me “bekimin” e tij, por edhe kontrollin e strukturave socialiste.
Por situata më e vështirë duket edhe me deputetët e Vlorës. Fatmir Toçi e Valentina Leskaj i kanë bërë thuajse publike kritikat e tyre ndaj mënyrës sesi Kokëdhima po e administron PS-në në jug të vendit.
Ujërat u turbulluan edhe më shumë sot, kur disa anëtarë të PS-së protestuan para selisë rozë duke kërkuar largimin e Ramës nga drejtimi i PS-së, si dhe ristrukturimin e partisë. Kësaj iu shtuan disa orë më vonë edhe deklaratat e ashpra të Ben Blushit.
Deputetët nuk janë të kënaqur nga ministrat për emërimet që kërkojnë për simpatizantë, duke arritur ti quajnë ministrat e Ramës edhe si arrogantë. Por edhe situata e vështirë ekonomike, papunësia, por edhe mosriformatimi i qeverisë ka bërë që shumë deputetë të jenë të pakënaqur me qeverinë “Rama”.
E ndërsa propaganda e qeverisë vazhdon të punojë me nota optimiste, për të shuar ndonjë rebelim të mundshëm brenda selisë rozë do të duhet diçka më shumë se fjalët boshe për reforma të mëdha.
Diskutime rreth kësaj post