Deputeti demokrat Luçiano Boçi, ka reguar ashpër lidhur me rastin e të riut Lear kurti, i cili ndërroi jetë pasi u shoqërua në komisariat nga policia.
Boçi u shpreh për publikimin e fotos së 32-vjeçarit në spitalin e Traumës, i shtrirë dhe duke marrë mjekim, gjë që hodhi poshtë deklaratën e këtij spitali, se i riu kishte shkuar aty pa shenja jete.
Reagimi i plotë:
“TË “VRASIM” VRASJEN
Akoma nuk jam i bindur për drejtësinë e nxjerrjes së kësaj foto-je të tmerrshme me Lear-in të shtrirë, duke pritur nga Zoti paqen e amëshuar për jetën që ai mori SHTETI i RAMËS.
Si politikan më shigjetoni me çfarë nuk ju pëlqen (për foton)!
Është e drejta juaj.
Por si baba, ama askush nuk më ndalon ta bëj këtë foto gjëmë, pankartë, thirrje, ulërimë për drejtësi!
Sepse si politikan duhet të mbaj grushtat të mbledhur fort, për t’i mos lëshuar mbi fajltorin, gulçin ta gëlltis në stomak si të ishte shije ekzotike e zemërimin ta kyc në shpirt.
Por si baba me forcën e revoltës mos më thoni asnjë fjalë!
Sepse si i tillë dua të shemb nga hidhërimi e zemërimi pengesa, male, ndërtesa e midis tyre atë “Pallatin” e rremë të drejtësisë të shndërruar në holl, ku nga halli i pushtetit DREJTËSIA ekzekutohet çdo ditë.
Dua ta gjunjëzoj shtetin vrasës, deri sa nga fryma t’i dalë vetëm një herë një tingull i vetëm ndjese.
Dua t’ia përplas në surrat kryeministrit pashpirtësinë, ligësinë, urrejtjen që ka instaluar për JETËN në këtë vend të shndërruar në hapësirë boshe, ku ka vetëm ndërtesa të larta dhe aspak, lartësi gëzimi, entuziazmi, lartësi përulje ndaj njeriut, lartësim vlerash dhe virtytesh.
Dua ta vras heshtjen, apatinë, mpirjen, mospërfilljen e shoqërisë për të lindur aty revoltën e NJERIUT për jetën.
Për jetën si jetesë, jo për jetën si vdekje e ngadaltë që pret të përmbushë ditët e saj të hirta.
Dua ta vras politikën pa ndjesi, pa përgjegjësi, politikën me ylber, por pa njeriun brenda që bën talljen publike të jetës e familjes në marshet funebre të mitingjeve kryeministrore.
Por kjo nuk bëhet as me shkrime të veçuara e as me thirrje te veçuara, por duke u bërë bashkë kundër së keqes.
E bashkë të vrasim së pari frikën, pastaj shpërfilljen që të mund të vrasim më në fund vrasjen, vrasjen shtetërore!
Që ajo mos të mund të vrasë JETËN, qytetarin, fëmijët e të rinjtë tanë.
Para kësaj foto ose mbyllni sytë dhe imagjinoni që nuk do ndodhë më, ose hapini mirë sytë e hajdeni t’i japin fund vrasjes duke e vrarë politikisht atë!”, shkruan ai.
Diskutime rreth kësaj post