Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që, pasi u ka marrë votën duke premtuar ulje të taksave dhe përmirësim jetese, pa përfillur as fjalën e dhënë, as gjendjen e tyre në zgrip të mbijetesës, as ekspertë, dhe as ligje, e ngre traun e taksave e gjobave sa herë i teket duke u marrë edhe kacidhet e fundit për ta ndarë me një grusht oligarkësh të cilëve u jep pastaj të drejtën të ndërtojnë kulla qejfi e pushteti në sheshet publike ku deri dje luanin fëmijët shqiptarë?
Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që sëbashku me oligarkë e tij u vjedh përditë trashëgimtarëve të ligjshëm dhe shqiptarëve në përgjithësi copa të bregdetit për të ndërtuar atje sarajet e verës së këtyre oligarkëve?
Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin se të njëjtën gjë bëjnë edhe me lumenjtë e me gjithë pasuritë e përbashkëta që kryeministri dhe oligarkët e tij i shohin thjesht e vetëm si mundësi pasurimi për veten?
Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që, pasi ua merr votën duke u premtuar “zero ndërtime”, pa pyetur as për historinë e tyre as për cilësinë e jetës u ngre pallate përpara ballkoneve e dritareve duke shpëlarë paratë e trafikantëve që e kanë ndihmuar të blejë votën e atyre që s’ua ka marrë dot me mashtrime?
Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që, në bashkëpunim me oligarkët e tij, duke shkelur ligjin, ua rrethon stadiumin me status monument kulture dhe ua shemb përpara syve?
Po, kur pas një viti, duke parë suksesin e këtij maskarallëku kërkon të shkatërrojë edhe Teatrin Kombëtar për të ngritur në truallin e tij publik gjashtë kulla medemek si çmim që oligarku i tij të na bëjë një teatër të ri?
Përgjigja e parë (demokratike) është që të flasim e denoncojmë këtë përdorim skandaloz të shtetit për interesa private, këtë regjim që, me Edi Ramën po shkon dita ditës drejt atij që quhet fashizëm ekonomik, dmth. një regjim ku qeveria “e oligarkëve”, “nga oligarkët” dhe “për oligarkët” po arrin deri në përdorimin e dhunës për të mbrojtur interesat e veta.
Mirëpo, çfarë duhet të bëjnë njerëzit, kur, edhe pasi flasin, përgjigja që vjen nga Kryeministri dhe oligarkët e tij është mospërfillja, denigrimi, shantazhimi dhuna verbale dhe etiketimi nëpër mediat si plehra kazani?
Përgjigja e dytë (demokratike) është denoncimi në institucionet e drejtësisë të të gjitha shkeljeve ligjore. Por, çfarë u mbetet njerëzve të bëjnë kur edhe pasi bëhen këto denoncime policia dhe drejtësia nuk veprojnë, sepse kontrollohen nga kryeministri dhe oligarkët e tij ose sepse kryeministri ka sajuar ndërkaq VKM pas VKM-je për të ligjëruar vjedhjet që ka bërë sëbashku me oligarkët e tij,?
Një përgjigje gjithnjë demokratike janë protestat paqësore. Të tilla ka pasur jo pak, por kryeministri dhe oligarkët e tij nuk kanë ndalur.
Të shkretët njerëz, që nuk e duan dhunën apo i frigohen asaj, janë përgjigjur duke marrë plaçkat dhe kërkuar azil në masë edhe pse nuk jemi në luftë civile e nën bombardime si gjetkë.
Mirëpo megjithë sinjalet dramatike që ka dhënë ky eksod Kryeministri dhe oligarkët e tij nuk kanë reflektuar as një çast për njerëzit që ikin për tu shpëtuar bombardimeve të grykësisë së tyre, por kanë vazhduar ta ngrenë traun e grabitjes, arrogancës paturpësisë?
Dhe së fundi çfarë u mbetet njerëzve të bëjnë kur shohin se kryeministri nuk mjaftohet me këto, por, duke pasur në dorë të gjitha instrumentet e shtetit që punojnë për të dhe oligarkët jo për njerëzit, edhe i poshtëron duke i quajtur “dele” e njerëz të tredhur?
Dhe ja ku erdhi ngjarja e Kukësit si reagim i njeriut të grabitur, fyer e poshtëruar që nuk sheh rrugë tjetër daljeje nga gjendje e tij e dëshpëruar përveç asaj fjalës popullore:
“Kur mbaron fjala, gjykon palla.”
Dihet se pasojat e dhunës janë gjithmonë të rrezikshme sepse dhuna pjell dhunë, por për gjithë sa thashë më lart përgjegjës për dhunën e kuksianëve është dhuna kryeministrore dhe ajo e oligarkëve bashkëpunëtorë të tij, dhuna strukturore e një regjimi fashistoid që ka kohë që po u merr frymën njerëzve.
Në gjykimin e kësaj ngjarjeje duhet të ndjehemi të gjithë kuksianë sepse të gjithë në Jug dhe në Veri po e përjetojmë në forma të ndryshme këtë dhunë. Përgjigja e kuksianëve si e shqiptarëve më të goditur nga taksa grabitqare e Rrugës së Kombit është edhe përgjigja jonë e munguar për grabitjet që po na bëhen përditë.
Ajo është edhe shpresëdhënëse sepse, kurajoja e tyre na tregoi se përveç ikjes, nënshtrimit, dhe shitjes së votës për pesë lekë ka edhe rrugë të tjera për ta ndalur dhunën fashistoide të këtij regjimi, por edhe pse mund të shërbejë si një mësim dhe paralajmërim për çdo qeveritar dhe biznesmen që sillet si këta që na kanë sjellë në këtë gjendje.
VINI RE: Ky shkrim është pronësi intelektuale e Gazeta Panorama
Diskutime rreth kësaj post