Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja ka bërë parashikimet në lidhje me atë që ai pret të ndodhin në arenën politike gjatë 2023. Në një intervistë për emisionin “Open” në News 24, Lubonja tha se vizioni i kryeministrit Edi Rama për Shqipërinë, nuk është i një vendi në të mirë të shqiptarëve, por ai i një shteti në shërbim të oligarkëve që pasurohen dhe mbajnë në pushtet atë dhe klikën e tij.
“Jam i zymtë sepse premisat nga viti i kaluar në çojnë në këtë përfundim. Është e vështirë të bësh parashikime. Ne të papriturat i kemi pritur më shumë nga të huajt sepse kemi mendësinë që ato do të na shpëtojnë. Nuk besoj se është një shpresë e madhe në këtë drejtim.
Për të mbuluar një krim që ke bërë do bësh një krim tjetër. Kjo është ajo që kemi parë këto kohë me Ramën. Edhe kur mobilizon një ushtri patronazhistësh që dalin të përfshirë tani, përshembull është një krim që vjen nga nevoja për të mbuluar krimet e mëparshme. Politika krimi ndjek krimin do të vijojë.
Do vij një moment që shqiptarët të thotë boll është boll? Vizioni që Rama ka për Shqipërinë nuk është ai i një Shqipërie për shqiptarët, por e oligarkëve që vijnë këtu pasurohen, e mbajnë atë në pushtet dhe klikën e tij, shesin Shqipërinë për të grup oligarkësh që e mbajnë në pushtet” – tha Lubonja.
Lubonja ka bërë një parashikim edhe në lidhje me Partinë Demokratike, për të cilën tha se do ta ketë të vështirë të mbijetojë. “PD mendoj që e ka shumë të vështirë jo vetëm të jetojë por edhe të mbijetojë”, – ka deklaruar Lubonja.
Diskutime rreth kësaj post