Nga Fatos Lubonja
Histeria që kapi politikën opozitare, pas votës pro rezolutës së OKB-së për mosnjohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, ku spikatën deklarimet e Berishës, e Bashës, të Kryemadhit, të Tritan Shehut, të Ben Blushit e më në fund, si qershia mbi tortë, letra e ndjesës së Presidentit Meta dërguar Trumpit vlejnë shumë për t’i bërë një skaner gjendjes së mendimit politik shqiptar. E them me dëshpërim, por ky reagim tregoi gjendjen e izolimit intelektual e shpirtëror, në të cilën ndodhet klasa jonë politike e kthyer vetëm nga vetvetja dhe e motivuar vetëm nga një luftë e vogël meskine për para dhe për pushtet brenda lloji. E para gjë që tregoi ky reagim është se, ashtu si e brendshmja edhe politika jonë e jashtme vazhdon të funksionojmë me mendësinë e kohës së Hoxhës.
Politikanët tanë, me të njëjtën metodë siç i dhanë komunistët Jugosllavisë, BS-së, Kinës popullore rolin e Zotit të tyre mbi tokë, tani ia kanë dhënë këtë rol SHBA-ve dhe, pasi i kanë dhënë po vetë Shqipërisë rolin e fëmijës së zgjedhur të këtij Zoti, anatemojnë si tradhtar e armik çdokënd që guxon të prekë sadopak këtë zot. Për ta përforcuar këtë gjejnë edhe armikun e jashtëm, të cilit i shërbejnë tradhtarët. Në rastin konkret këtë rol e mori Erdogani, tek i cili u shtresëzuan tërë armiqësitë që nga ajo ndaj “pushtuesve osmanë”, deri tek Erdogani diktator. Duhet thënë se Rama nuk e bëri votimin pro, sepse ka ndonjë mendësi tjetër nga ajo e manipulimit të shqiptarëve me të fuqishmit e kësaj bote. Mjaft të kesh parasysh se tërë pisllëqet që bën brenda vendit kërkon t’i mbulojë me atë se të fuqishmit e botës, që mbështesin atë, nuk kanë thënë asgjë për bëmat e tij.
E bëri, sepse mendoi se në këtë rast është më e fuqishme Europa e Britanisë, Gjermanisë, Francës, Italisë etj., si dhe lobi amerikan antiTrump në SHBA, që mbështet atë, sesa një Trump i mbështetur nga disa vende pa asnjë peshë. Këtë e tregoi përgjigja e ministrit të tij të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili nuk dha asnjë argument shqiptar për të na shpjeguar këtë votë, thuaj po deshe në emër të sistemit të vlerave të partisë së tij, por u mbrojt duke përdorur zotin tjetër: BE-në – “Votuam ashtu se ndoqëm linjën e BE-së.”, – çka ishte një manipulim me të fuqishmit edhe ajo. Thënë kjo, duhet pranuar se ky ishte një votim i drejtë dhe se ta quash këtë votim tradhti ndaj SHBA-ve, siç ulëriti Berisha në krahun tjetër, i ndjekur nga shumë të tjerë, më duket patetizëm propagandistik i stilit më të keq, në fakt një shërbim i madh që i bëjnë kundërshtarit të tyre politik. E dyta gjë që tregoi ky reagim është se, edhe pas 25 vjetësh gjoja pluralizëm politik, ne nuk kemi arritur ende të kemi pluralizëm për sa i përket vizioneve që kemi për botën, ideologjive apo sistemeve të vlerave në të cilat besojmë e të cilave duhet t’u qëndrojmë koherent, pavarë- sisht interesave tona të parasë apo pushtetit.
Duket se partitë tona të vetmin program kanë atë sesi të gjejnë gurin e parë që iu del përpara për të sulmuar kundërshtarin e tyre shpesh, edhe pa inteligjencën për të parë se guri, që kanë zgjedhur, mund t’u kthehen kundër si bumerang. Si ka mundësi që LSI-ja bërtet kaq shumë pro Trumpit, ndërkohë që do të duhej të ndjehej shumë më pranë Partisë Demokratike amerikane e jo vetëm për këtë, por edhe pse, si një parti e deklaruar e majtë, duhet të jetë kundër shumëçkaje nga ato që po bën Trumpi. Le të shkojmë më tej në këtë argument. Politikat, që po ndjek Trump në Europë, i mbështesin vetëm partitë e ekstremit të djathtë, sepse janë kundër emigracionit e jo vetëm.
Ne, duke qenë një vend emigrantësh, duhet t’i kundërshtojmë këto politika. Jo vetëm, por partitë tona, duke përfshirë edhe PDnë edhe PS edhe LSI, nuk bëjnë pjesë në familjen e partive të ekstremit të djathtë në Europë, por bëjnë pjesë në familjen e partisë së Merkelit apo Berluskonit, që kundërshtojnë këto politika të Trumpit. Atëherë, ç’është ky servilizëm i panevojshëm dhe kundërproduktiv ndaj Trumpit? Por, përtej të majtës dhe të djathtës, ajo që të çudit më shumë në këtë qëndrim është symbyllësia ndaj buonsensit që tregoi shumica dërrmuese e shteteve më të rëndë- sishëm të botës, ndër ta edhe shumë miq të Shqipërisë, që votuan pro kësaj rezolute.
Askush nuk u ndal qoftë edhe një moment të pyeste: Mirë, po si ka mundësi atëherë që aleati më i madh i SHBA-ve, populli i të cilit flet të njëjtën gjuhë me amerikanët, me të cilin kanë qenë aleatë në dy luftëra botërore, Britania e Madhe, votoi edhe ajo pro rezolutës? Mos vallë edhe britanikët qenkan vënë në shërbim të Erdoganit? Askush ndër opozitarët nuk u ndal të arsyetonte mbi vetë vendimin: A nuk nxit ai tensionet dhe urrejtjen në atë rajon të masakruar dhe a nuk shton ai rreziqet e luftës e terrorizmit atje? Aq më pak u ndalën të mendojnë një çast për popullin palestinez. Jo, ashtu si dikur Enver Hoxha na detyronte të donim vetëm popullin palestinez, tani këta duan të na detyrojmë të duam vetëm popullin izraelit. Aq më pak u ndalën të mendojnë edhe për myslimanët shqiptarë, që, besoj, se ndjehen më afër palestinezëve sesa izraelitëve në këtë konflikt.
Jo vetëm, por askush nuk u thellua një moment të informohej se si kanë reaguar brenda SHBA-ve (ku pjesa më e madhe ka qenë kundra vendimit të Trumpit) apo në Europën “e vjetër” që e duam aq shumë kur emigrojmë. P.sh., në Italinë me të cilën jemi më afër për shumë arsye, votimi pro rezolutës as nuk u vu në diskutim nga asnjë palë politike, kurse komentet e gazetarëve që kanë dominuar kanë qenë se ky vendim i Trumpit ishte shumë më i rëndë sesa ai i mosnjohjes së Traktatit të Parisit për klimën. Ndërkaq, ditën e votimit në OKB, shumica e komenteve u përqendruan tek shija tejet e keqe që la arroganca e ambasadores së SHBA në OKB që u përmendi shteteve të tjerë të botës se vendi i saj paguante më shumë se të tjerët për OKBnë dhe prandaj duhet t’i bindeshin diktatit. Mirëpo, opozitarëve tanë nuk u bëri fare përshtypje kjo arrogancë e më të fuqishmit dhe më të pasurit, por nxituan t’u thonë shqiptarëve se vota kundër do të na linte pa ndihma amerikane dhe se, për këtë, fajin e kishte kundërshtari i tyre i urryer Rama.
Sigurisht, e venë gishtin tek varfëria e shqiptarëve me shpresë se këta kjo mund t’i prekë e t’i verë kundër kundërshtarit të tyre. Dhe sigurisht me mendimin se janë krejt budallenj që jo vetëm besojnë qorrazi se çdo votë kundër SHBA është e padrejtë, por edhe se harrojnë se për varfërinë e tyre Berisha me shokë s’kanë menduar kurrë kur kanë qenë në pushtet. Pastaj, ç’është kjo punë që arsyetimet pro rezolutës nuk kapërcenin argumentimet se çfarë na intereson ne e çfarë nuk na intereson ne shqiptarëve – duke futur në këtë mes edhe çështjen e Kosovës apo argumentin e abstenimit – a thua se çdo gjë që na intereson ne qenka në të mirë edhe të botës dhe e kundërta.
Fakti është se kjo rezolutë, që u votua nga 128 vende, ishte kundër vendimit të Presidentit Trump, i cili po merr disa vendime shumë të rrezikshme për botën, gjoja në emër të interesave të SHBA, por, në fakt, duke dëmtuar rëndë reputacionin dhe interesat afatgjata të SHBA dhe duke rrezikuar edhe të ardhmen e të gjithëve. Pikërisht për këtë, shumica e amerikanëve sot janë kundër Presidentit Trump, i cili ka rënë dramatikisht në sondazhe. Dhe, që një president amerikan mund të bëjë gabime të rënda, këtë e ka provuar historia më shumë se një herë. Mjaft të kujtoj vendimin e George W. Bushit për të sulmuar Irakun. Edhe atëherë politika servile prej lakenjsh shqiptarë u tregua e gatshme të çonte ushtrinë përpara se të fillonte misioni i ashtuquajtur paqësor. Por, pas disa vjetësh, thuajse të gjithë në SHBA e quajtën këtë sulm si shumë të gabuar. Sepse, për fat të mirë, në Amerikë nuk shkojnë syqorrazi pas cilitdo president qoftë. Por politikanët tanë nuk duan të mësojnë as nga gabimet e të tjerëve dhe as nga të tyret. Vazhdojnë të na thonë se dashuria për SHBA duhet të jetë syqorre dhe e pakondicionuar si dashuria e skllavit për padronin. Veç një gjë duhet ta kemi të qartë si ne dhe amerikanët. Siç na mëson edhe dashuria e pakufishme e Enver Hohës për BS apo Kinën, kjo dashuri e politikanëve tanë vlen vetëm sa për t’u përdorur për pushtetin, sepse me ndihmën e të fuqishmit të radhës mbajnë popullin e tyre në gjendje syqorri dhe skllavi për ta sunduar më lehtë.
Sapo të mos u interesojë atyre kjo dashuri, mund ta kthejnë në urrejtje e t’ia imponojnë të gjithë popullit të tyre. Thuajse çdo katër vjet politikanët tanë na ofrojnë emra të mëdhenj për të na premtuar ndryshime të mëdha: “Rilindje”, “Republikë e Re” e ku dihet se çdo të sajojnë në të ardhmen. Por sa kohë që do të manifestojnë këtë kulturë të manipulimit dhe simulimit, sa kohë që do ta trajtojnë popullin e tyre si budalla, që gënjehet me ambasadorë amerikanë apo europianë, kinezë, turq apo sovjetikë, asgjë nuk do të ndryshojë. Republika që themeloi Enver Hoxha do të vazhdojë rrugën e saj thjesht e veshur me një kostum tjetër më të modës.
Diskutime rreth kësaj post