Lu dhe Vlahutin takim me ekspertët e Reformës në Drejtësi
Ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, Donald Lu dhe Romana Vlahutin po zhvillojnë të premten në ambjentet e kryesisë së Kuvendit një takim me grupin e ekspertëve të lartë për reformën në drejtësi.
Ky takim pason atë të një dite më parë mes ambasadorit Lu dhe kryeparlamentarit Ilir Meta, i cili zgjati për rreth tre orë.
Mendohet se në fokus të takimit është bllokimi nga opozita që po shoqëron diskutimin e draftit të reformës në drejtësi, i cili do të ripunohet nga ekspertët, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Përfaqësuesit e PD-së u tërhoqën tre ditë më parë nga tryezat e diskutimit me argumentin se maxhoranca nuk po reflektonte për çështjen e përdorimit të 3/5 të votave në emërimin e drejtuesve të disa institucioneve të larta të drejtësisë.
Sipas tyre, shumica me 3/5 e kap sistemin dhe është një zgjidhje e atakuar dhe nga Komisioni i Venecias. Ekspertët e djathtë jane te mendimit se kjo çështje duhet të zgjidhet vetëm mbi bazën e kompromisit politik midis drejtuesve kryesorë të politikës në vend.
Gjithashtu, gjatë mesditës së sotme, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ftoi ekspertët e Partisë Demokratike që t’i rikthehen tryezës së diskutimit për draftin e reformës në drejtësi, duke kërkuar nga palët që të ruajnë konsensusin e arritur deri tani. “Ju kërkoj të rikthehen në tryezën e ekspertëve dhe të mos vetëpërjashtohen për një ose disa çështje të caktuara. I ftoj që ta ruajmë këtë frymë bashkëpunimi në frymën e opinionit të Komisionit të Venecias”, u shpreh sot Meta.
Axhenda politike ka vijuar me një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit, Bujar Nishani.
Diskutime rreth kësaj post