Shqipërisë i janë shtuar dy linja ajrore me kosto të ulëta këtë vit. Në mars filloi fluturimet Wizz Air nga Tirana në Budapest dhe anasjelltas dhe nga 10 maji Transavia ofron udhëtime direkt nga Tirana në Amsterdam dhe anasjelltas.
Por, sa kushtojnë biletat dhe si janë ato krahasuar me vendet e tjera të rajonit për të njëjtat destinacione? “Monitor” ka bërë një kërkim në linjat përkatëse për udhëtimet vajtje-ardhje në muajt e verës, ku rajoni rezulton sërish shumë më i lirë.
Në Budapest
Nga Tirana në Budapest, janë dy data nisjeje dhe kthimi çdo javë, të mërkurën dhe të dielën. Bileta më e lirë vajtje-ardhje është 85 euro dhe këtë mund ta gjeni vetëm për nisje në fund të muajit maj dhe fillim të qershorit (bileta e vajtjes është vetëm 20 euro, por është kthimi ai që kushton tre herë më shumë). Më pas biletat shtrenjtohen dhe kushtojnë 127 euro, apo edhe 210 euro në fillim të korrikut. Bileta më e lirë që mund të gjesh në korrik është 145 euro (vajtje-ardhje).
Nga Shkupi është shumë më lirë të shkosh në Budapest. Për ikje më 31 maj dhe kthim më 4 qershor, udhëtimi vajtje-ardhje është vetëm 29 euro (1789 dinarë maqedonas). Në qershor, bileta kushton maksimumi 41 euro dhe në korrik 44-48 euro (vajtje-ardhje). Nga Shkupi, përveç Budapestit, Wizz Air ka gati 30 destinacione të tjera.
Edhe nga Prishtina, që ka filluar fluturimet pothuajse njëkohësisht me Tiranën, Budapesti është më i lirë. Një biletë vajtje-ardhje, për nisje më 29 maj dhe kthim më 5 qershor, kushton 40 euro, ndërsa edhe në korrik mund ta gjesh me më pak se 50 euro.
Në Amsterdam
Në Amsterdam, në ditën e parë kur fillojnë fluturimet nga Tirana, më 10 maj dhe kthim më 15 maj, bileta kushton 170 euro.
Fluturimet me linjën Transavia, janë tre herë në javë, të hënën, të mërkurën dhe të premten. Në maj, udhëtimi më i lirë është më 17 maj, nisja nga Tirana dhe kthimi në datën 19 maj, ku bileta vajtje-ardhje kushton 86 euro, ndërsa nëse zgjedh kthimin me datën 22 maj shtrenjtohet në 146 euro.
Në korrik, biletat shtrenjtohen ndjeshëm. P.sh., për vajtje në datën 21 korrik dhe kthim në datën 24 korrik, kushton 247 euro. Edhe në gusht janë po kaq të shtrenjta.
Biletat për në Amsterdam fillojnë e bëhen më të lira vetëm në shtator, ku, nëse prenotoni sot mund të gjeni fluturime që kushtojnë 78 euro (p.sh., për vajtje në 20 shtator dhe kthim në datën 25 shtator). Fluturimet janë të programuara deri në tetor, ku çmimet janë relativisht të njëjta me shtatorin.
Transavia ofron dhe fluturime direkt drejt Parisit (Orly). Në qershor, bileta më e lirë vajtje-ardhje kushton 147 euro. Në korrik, çmimi shtrenjtohet ndjeshëm në 192 euro deri 248 euro.
Në Paris mund të shkohet dhe nga Prishtina me Easyjet. Për nisje më 27 maj dhe kthim më 31 maj, bileta kushton 88 euro. Në korrik bileta shtrenjtohet në 192 euro. Nga shtatori, Parisi është i arritshëm përmes Prishtinës me 71 euro./Monitor
Diskutime rreth kësaj post