Ish-kryeministri Sali Berisha, ditën e sotme ka njoftuar vetë se është shpallur ‘non grata’ nga Britania e Madhe. Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se ky lajm i është bërë e ditur përmes një letre, ku theksohet se ky vendim është marrë për “lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, si edhe për korrupsionin”.
Lidhur me këtë, analisti Lorenc Vangjeli, është shprehur se kjo nuk është asgjë e re nga Perëndimi për Berishën.
Vangjeli u shpreh se për ish-kryeministrin kjo është një betejë e humbur dhe beteja e vetme që ai mund të bëj për të fituar, është që Saliu të mund Berishën.
“Mund të thuhet që sërish nuk ka asgjë të re nga Perëndimi për Berishën. Ai është një personazh i identifikuar si minues i demokracisë, si akuza më e rëndë që i bëhet. Sërish në anglisht, sërish nga bota anglo-saksone dhe sërish e njëjta gjë që shqiptarët minimalisht në shumicën e tyre e kanë thënë këtë prej vitesh, duke e menduar zotin Berisha si një minues të demokracisë.
Ky është një akt që kalon mbi shpatullat e një personazhi, nëqoftëse ‘non-grata’ amerikane drejtohej ndaj një deputeti, kësaj radhe kjo britanike drejtohet drejt një kryetari të një force politike, më të madhe të opozitës ku ngarkesa është po aq e madhe. Zoti Berisha duhet ta mendojë se në një luftë të cilën e ka të humbur me Perëndimin, ai ka vetëm një betejë të vetme për të bërë, që Saliu duhet të mund Berishën. Ai duhet të tërhiqet, ndoshta edhe për të mirën e tij vetjake,”– u shpreh Vangjeli.
Diskutime rreth kësaj post