Zvarritja për më shumë se tre vite e zbatimit të një ligji të ri për Lojërat e Fatit dhe tentativa për ta penguar atë nga një grup deputetësh është rasti më i fundit që vërteton kapjen e shtetit nga grupet e ngushta të interesit. Ekspertët e ekonomisë dhe shoqatat e biznesit hedhin alarmin se kapja e shtetit me ligje për interesa të ngushta ka mbizotëruar. Koncesionet, ndërhyrjet fragmentare në ligjet e taksave, etj., kanë rritur kostot e mallrave dhe shërbimeve për qytetarët, nuk kanë ndikuar në përmirësimin e financave publike, por kanë çuar fitime vetëm në disa kompani të lidhura me politikën
Blerina Hoxha
“Fundi i Marrëzisë” tre vite më pas po rezulton një marrëzi e pafundme, teksa mazhoranca shihet të ketë dështuar në një nga aksionet më të mëdha të saj për disiplinimin e biznesit të lojërave të fatit.
Qeveria e re e zotit Edi Rama, që erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2013, tentoi që në muajin e parë të saj të formalizojë tregun historikisht problematik të bixhozit. Vetë kryeministri u përkujdes ta pagëzojë si një marrëzi dhe si e tillë për t’i dhënë fund, orientoi në një aksion të përbashkët, Policinë e Shtetit, atë tatimore dhe ndërtimore për të pezulluar, për të sekuestruar dhe për të prishur objektet që nuk ishin në pajtueshmëri me ligjin. Më 14 tetor 2013, mbi 600 mijë forca policore lanë komisariatet dhe rutinën e tyre të përditshme për t’u vënë çelësat bizneseve të lojërave të fatit. Pak muaj më vonë, Ministria e Financave raportoi se kishte mbyllur dhe bllokuar mbi 1 mijë pika në të gjithë vendin.
Përkrah aksionit në terren, ekspertët e qeverisë nën konsulencën e donatorëve hartuan një projektligj që do të vuloste fundin e “marrëzisë”. Në themel të propozimeve të reja është ndalimi i bizneseve me fushë veprimtarie lojëra fati, të ekspozuara pranë institucioneve fetare, të arsimit parauniversitar dhe institucioneve të arsimit të lartë. Distancat ndërmjet subjekteve të lojërave të fatit nga institucionet e parashikuara duhet të jenë jo më pak se 100 metra në vijë ajrore në të gjitha drejtimet. Brenda datës 31 dhjetor 2016 organizatorët duhet të merrnin masa për ndryshimin e vendndodhjes, ndryshe do të penalizoheshin me heqje licence. Por që nga fillimi i vitit 2014, kur ligji u bë gati për miratim, kaloi në një kalvar dyvjeçar, derisa hyri në fuqi në shkurt të 2016-s. Kur u botua në Fletoren Zyrtare, afatet ligjore për zhvendosjen e bizneseve u bënë nul, pasi ligji parashikonte zhvendosjen një muaj para se ndryshimet të hynin në fuqi. Burimet në Ministrinë e Financave në kohën kur ish-ministri Shkëlqim Cani e drejtonte atë, pohuan se grupet e interesit pranë politikës ushtruan presion për të penguar avancimin e ligjit. Zvarritja me më shumë se dy vjet që nga miratimi në qeveri derisa u botua në Fletoren Zyrtare, u shoqërua më pas me një indiferencë të thellë të qeverisë për ta zbatuar ligjin. Ministria e Financave nuk nxori asnjë udhëzim për zbatimin e ligjit, teksa bizneset po përpiqen të përdorin Kuvendin për t’i dhënë një anulim final ndryshimeve. Një grup prej gjashtë deputetësh – Ervin Bushati, Ervin Koçi dhe Blerina Gjylamenti nga Partia Socialiste; Ylli Shehu dhe Luan Duzha nga LSI, bashkë me Tahir Muhedinin nga përfaqësia e çamëve kanë propozuar një projektligj që shtyn afatet e zbatimit të ligjit të ri për lojërat e fatit të paktën deri në vitin 2018. Ndërsa deputeti Tahir Muhedini i çamëve ka propozuar veçmas një projektligj, për shtyrjen e afateve të zbatimit të ligjit. Këto nisma duket se janë nxitur nga qeveria, e cila përgjatë dy viteve të fundit është vënë nën presion nga bizneset e sektorit që ligji të mos zbatohej, përderisa shihet se Ministria e Financave nuk lëshoi asnjë udhëzim për zbatimin e ligjit. Ervin Bushati, një nga deputetët nismëtarë për të shtyrë zbatimin e ligjit, pohoi se e ka bërë propozimin i pandikuar nga aktorët e tregut. Ai tha se, nëse ligji zbatohet, buxheti i shtetit humbet të paktën 2,5 miliardë lekë nga taksat dhe gjithashtu zhvendosja më në periferi e bën më të vështirë kontrollin dhe rrezikon ta kriminalizojë biznesin e lojërave të fatit. Bushati tha se është në pritje të një raporti të posaçëm nga Ministria e Financave për kushtet në të cilat po zhvillohet biznesi. Por kolegia e tij, Blerina Gjylamenti, njoftoi dorëheqjen nga nisma sapo kuptoi se kjo nuk ishte iniciuar nga grupi parlamentar, por nga grupe të caktuara të qeverisë.
Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar, më herët gjatë javës i ka sqaruar deputetët se nisma për të shtyrë zbatimin e ligjit të lojërave të fatit nuk është e grupit, porse në vijim do të shqyrtohet nëse është apo jo e drejtë. Bizneset e lojërave të fatit xhirojnë të ardhura më shumë se 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Të 16 operatorët më të mëdhenj deklaruan zyrtarisht të ardhura 120 milionë euro në vitin 2015, por studimet e mëparshme të qeverisë tregojnë se ky lloj biznesi ushtrohet 70% në informalitet dhe të ardhurat reale që xhirohen janë së paku 360 milionë euro. Sipas të dhënave nga bilancet, bizneset e lojërave të fatit patën norma fitimi dyshifrore që arritën deri në 45% vitin që shkoi.
Deputeti Ervin Bushati që është pjesëtar në Komisionin e Ekonomisë, nuk hezitoi kur e cilësoi ligjin e ri të lojërave të fatit një nismë të nxitur të qeverisë. Ai tha se nuk ishin marrë në konsideratë kostot nga zbatimi i tij dhe vlerësoi se duhet bërë një rishikim tërësor i tij. Nga zhvillimet e deritanishme shihet se, ligji i ri i lojërave të fatit është minimumi një gabim i qeverisë, teksa gjithnjë e më shumë qeveria dhe Kuvendi po ndikohen nga lobingjet e grupeve të interesit për të miratuar ligje që janë në dëm të interesit të përgjithshëm.
Nisma e deputetëve
Deputeti Ervin Bushati që është pjesëtar në Komisionin e Ekonomisë, nuk hezitoi kur e cilësoi ligjin e ri të lojërave të fatit një nismë të nxitur të qeverisë. Ai tha se nuk ishin marrë në konsideratë kostot nga zbatimi i tij dhe vlerësoi se duhet bërë një rishikim tërësor i tij.
Ekspertët japin alarmin për kapjen e shtetit
Teksa lobingjet në të gjithë botën ndikojnë vendimmarrjen për të miratuar ligje në favor të tyre, fenomeni në Shqipëri është gjerësisht i dukshëm aq sa vitet e fundit, ligjet me karakter të mirëfilltë ekonomik në favor të grupeve të ngushta të interesit, në dëm të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, janë shtuar shumë. Zef Preçi, ekspert i Ekonomisë, thotë se grupet e interesit të lidhura me politikën janë strukturuar aq fort, duke na dhënë sinjale të mirëfillta të kapjes së shtetit. Konkluzionin e tij, Preçi e ilustron me koncesionin e skanimit në dogana. Ai tha se qeveria ‘Berisha’ në ikje, dha pa asnjë transparencë koncesionin e skanimit në dogana, duke tarifuar me 39 euro çdo faturë importi edhe për ata që nuk e merrnin shërbimin e skanimit. Tarifa e lartë i alarmoi bizneset dhe opozitën në atë kohë, e cila lajmëroi se sapo të vinte në pushtet, do të shfuqizonte këtë koncesion. Por, në mungesë të plotë transparence, qeveria e zotit Rama vendosi të rinegociojë kontratën me koncesionin e skanimit, duke e çuar tarifën në 22 euro për çdo deklaratë doganore, teksa mori përsipër subvencione për kompaninë për tre vitet në vijim me të ardhura nga buxheti i shtetit. Negocimi u bë në mungesë të plotë të transparencës dhe askush nuk mësoi se cila ishte analiza kosto-përfitim e këtij koncesioni. Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, tha se kjo praktikë është një rast i pastër ku një grup interesi ka kapur dy mazhoranca teksa argumenton se dy vite pas koncesionit të skanimit të ardhurat nga doganat po shfaqin anomali të theksuar, pasi të dhënat tregojnë se kontrabanda është rritur. Në Italinë fqinje kapen përditë kamionë që transportojnë drogë teksa qytetarët shqiptarë do të paguajnë me taksat e tyre në 13 vitet në vijim 210 milionë euro për skanimin pa marrë asnjë përfitim mbrapsht.
Selami Xhepa, ish-këshilltar për ekonominë i zotit Berisha dhe më pas, deputet në Parlament, tha se ka një intensitet të shtuar të lobimit nga grupet e interesit. Xhepa thotë se në 25 vite tranzicion, lobigjet janë organizuar dhe strukturuar, duke ndikuar në hartimin e vendimeve dhe të ligjeve në favor të tyre. Por ai e cilësoi të rrezikshëm presionin për të miratuar vendime dhe ligje në dëm të interesit publik. Xhepa kujtoi se nga përvoja e tij, presioni më i madh bëhet te ministritë dhe qeveria dhe më pak mbi Parlamentin. Ai tha se fillimisht, qeveria merr vendime e ndikuar nga lobingjet, të cilat më pas Parlamenti ka pak gjasa t’i kthejë tërësisht mbrapsht. Në tërësi, Parlamenti voton politikisht dhe nëse mbështetet një grup i caktuar interesi në dëm të së përgjithshmes, inicimi vjen nga partia ose qeveria në rastin e mazhorancës – tha Xhepa. Ai pohoi se lobimi është një instrument i njohur në botën e zhvilluar, por qeveritë dhe institucionet publike janë aty për t’i transformuar në drejtim të interesit publik. Fatkeqësisht qeveritë shqiptare nuk po e përballojnë dot presionin e lobingjeve, thotë Xhepa, i cili kujton dy paketat e fundit fiskale, në të cilat ndërhyrjet janë të fragmentuara në dëm të zhvillimit të ekonomisë e vendit.
Zef Preçi
Koncesioni i skanimit është një rast i pastër ku një grup interesi ka kapur dy mazhoranca teksa dy vite pas koncesionit të skanimit të ardhurat nga doganat po shfaqin anomali të theksuar, pasi të dhënat tregojnë se kontrabanda është rritur.
Selami Xhepa
Në 25 vite tranzicion, lobigjet janë organizuar dhe strukturuar, duke ndikuar në hartimin e vendimeve dhe të ligjeve në favor të tyre. Eshtë i rrezikshëm presioni për të miratuar vendime dhe ligje në dëm të interesit publik.
Kapja e shtetit, me ligje selektive
Ka një shqetësim në rritje se kompania apo njerëz afër pushtetit janë duke e ndikuar vendimmarrjen për çështje përfitimi personale. Ekspertët e ekonomisë dhe bizneset janë të shqetësuara për fenomenin gjithnjë e në rritje. Madje këto tentativa kanë çuar edhe në debate, aq sa Kuvendi ka kthyer mbrapsht nisma të qeverisë që ishin tërësisht të dukshme që po favorizonin një kompani të caktuar. Vitin që kaloi, Komisioni i Ekonomisë në Kuvend e rrëzoi një propozim të Ministrisë së Financave për të përjashtuar pijet energjike nga akciza. Kjo politikë e veçuar në shërbim të pak kompanive dhe për një mall konsumi luksi nuk po shkonte në të njëjtën trajektore me nismat për rritjen e akcizës që ndërmori qeveria me mallrat e tjera të akcizës. Vitin e kaluar, në kulmin e konsolidimit fiskal, kur rritja e taksave vërshoi pothuajse në të gjithë zërat, qeveria hoqi TVSH-në për sigurimet dhe e zëvendësoi atë me tatim 3% për primin bruto. Ky ndryshim, megjithëse u miratua në Kuvend, kaloi me debate të ashpra në komisionet parlamentare se ky ligj ishte bërë për të favorizuar kompanitë e sigurimeve dhe se nuk do të kishte përfitime as në çmime më të lira për konsumatorët e as në të ardhura më të larta për buxhetin. Dhe, në fakt, një vit pas këtij ndryshimi, lehtësimi tatimor mbi kompanitë e sigurimit nuk prodhoi lehtësim as për konsumatorët, as për zgjerimin e tregut. Përkundrazi, kompanitë rritën tarifat e sigurimeve të paktën me 20% këtë verë në unanimitet të plotë edhe në shkelje të hapur të ligjit të konkurrencës.
E njëjta situatë edhe në Paketën Fiskale të 2017-s. Qeveria, edhe pse ka marrë angazhimin për uljen e emetimit të karbonit, e taksoi me 13 lekë për litër gazin që përdorin makinat, edhe pse buxheti i shtetit nuk përfiton nga kjo masë.
I shqetësuar për këtë fenomen është edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Arben Malaj, i cili vëren se, kohët e fundit, po miratohen shumë ligje dhe VKM në shërbim të çështjeve të ditës dhe të grupeve të interesit afër politikës.
Duke e cilësuar si nivelin më të lartë të korrupsionit, kapjen e shtetit nga individë apo grupe të veçanta, ekspertët e ekonomisë japin alarmin se, financat publike dhe zhvillimi i ekonomisë tashmë janë në rrezik.
Arben Malaj
Po miratohen shumë ligje dhe VKM në shërbim të çështjeve të ditës dhe të grupeve të interesit afër politikës
Bizneset të shqetësuara
Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë ka pohuar se, gjithnjë e më shumë lobingjet janë duke ndikuar vendimmarrjen. Intensiteti i miratimit të ligjeve që shkojnë për grupe të vogla interesi duke shpërfillur vendimet që vënë në trajektore zhvillimin afatgjatë janë rritur, – pohoi Jaka. “Konkluzioni im mbështetet në disa raste konkrete”, – tha Jaka. Rasti i koncesionit të skanimit në dogana është ilustrimi më i spikatur i kapjes së shtetit, pohon kryetari i Dhomës së Tregtisë. E ndikuar nga grupet e interesit, qeveria e kohës miratoi një koncesion që penalizon me tarifa edhe ato biznese që nuk marrin shërbimin e skanimit në dogana. Por kulmi arriti kur qeveria aktuale që premtoi ta zhbëjë, e vijoi këtë koncesion, prishja e të cilit me çfarëdolloj kostoje do të ishte më mirë, pohoi Jaka. Shteti është kapur nga lobet e lojërave të fatit, të cilat ndër vite e kanë ndikuar vendimmarrjen dhe për këtë shkak vijon të jetë sektori me evazionin fiskal më të lartë, – pohoi kryetari i Dhomës së Tregtisë. Jaka jep si shembuj edhe disa ndryshime në paketat fiskale. Ai kujtoi se vitin e kaluar, qeveria tentoi të ulte akcizën për pijet energjike. Kjo masë, përveçse po shkonte në të kundërt të politikës fiskale, favorizonte nga taksimi artikuj luksi, kur dihen se përfituesit ishin vetëm disa kompani.
Luigj Aliaj, nga Shoqata e Karburanteve, tha se kapja e shtetit është më e dukshme te koncesionet dhe në marrjen e lejeve dhe licencave. Vetëm për 7 vitet e fundit, tha ai, kriteret e magazinimit dhe licencimit për hidrokarburet kanë ndryshuar shumë herë dhe kjo ka ndodhur për të favorizuar hyrjen në treg të kompanive që kishin të lidhura interesat me politikën.
Lobimi është një fenomen i pranuar në të gjithë botën tha ai, po kur bëhet në të mirën e zhvillimit të përgjithshëm të ekonomisë, jo duke favorizuar një biznes dhe duke dëmtuar pjesën më vitale të ekonomisë. Qeveria uli pragun e taksimit me akcizë të birrës vendase nga 400 HK litër në 200 HK litër, në Paketën Fiskale të vitit 2016. Bregasi tha se kjo politikë favorizon hapur importin dhe nuk shkon në interesin e zhvillimit të prodhimit vendas dhe cenon investimet në industrinë e pijeve.
Për Nikollaq Neranxin, situata është më alarmante. Ai ka dhënë disa shembuj kur shteti i kapur po shkel të drejtat e fituara me Kushtetutë nga qytetarët. Ai përmendi rastin e ndikimeve të interesave personale ekonomike të klaneve të lidhura ngushtë me pushtetarët kundër interesave të qytetarëve të Himarës. Politikat e ndjekura në lidhje me këtë territor të çmuar të vendit, duke planifikuar shpronësime, shkatërrime dhe ndërtime të reja, tërësisht sipas vlerësimit të lirë të hartuesve të projekteve, pa marrë parasysh interesat e personave që ndikohen drejtpërdrejt nga këto ndryshime, tregojnë një cenim të të drejtave të qytetarëve të garantuara me Kushtetutë. Neranxi thotë se ka prova të mjaftueshme se qeveria është kapur, kur ka miratuar ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”; ligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”; ligjin “Për turizmin” dhe atë “Për investimet strategjike”.
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, tha se po sheh me shqetësim nxitimin e grupeve të interesit që po ndajnë tregjet kryesisht mbi bazën e afilacionit politik.
“Më keq akoma, kur qeveria po nxiton që në emër të Partneritetit Publik-Privat të shpërndajë drejt aleatëve të vet në fushën e biznesit shërbime të mëtejshme shtetërore, të cilat, në shumicën e tyre, nuk mund të mos çojnë në përkeqësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe rritjen e kostos së këtyre shërbimeve”,- tha Preçi.
Nikolin Jaka
Shteti është kapur nga lobet e lojërave të fatit, të cilat ndër vite e kanë ndikuar vendimmarrjen dhe për këtë shkak vijon të jetë sektori me evazionin fiskal më të lartë
Kapja me koncesionet
Teksa Shqipëria është në kulmin e lëshimit me koncesion të shërbimeve publike ndaj privatëve, Komisioni Europian dhe Banka Botërore po hedhin alarmin se këto forma të reja investimi, që kanë lulëzuar kryesisht në dekadën e fundit, janë vështirësisht të kontrollueshme dhe shpesh me kosto për qytetarët edhe në vendet e zhvilluara.
Por këto konkluzione nuk po e pengojnë qeverinë të faturojë kosto të pallogaritshme te qytetarët, të cilat nëpërmjet valës së re të koncesioneve, jo vetëm që do të shtohen në vitet në vijim, por janë edhe një rrezik i madh për stabilitetin fiskal të vendit në periudhë afatgjatë.
Teksa bizneset e koncesioneve kryesojnë listën e bizneseve të mëdha, nga ecuria e deritanishme ato kanë çuar më shumë kosto te qytetarët se sa përfitime. Praktikat shqiptare të këtyre investimeve janë të frikshme. Bizneset dhe qytetarët shqiptarë po paguajnë edhe për shërbime që nuk u ofrohen kurrë.
Vetëm te nafta, konsumatorët paguajnë 2 lekë për litër, ose rreth 15 milionë euro në vit që shkojnë të ardhura për koncesionet e skanimit dhe markimit të karburanteve. Shoqata e Hidrokarbureve pohoi se, edhe pse nafta as nuk markohet dhe as nuk skanohet, biznesi paguan tarifat të cilat janë përfshirë në çmime 2 lekë për litër. Ministria e Financave e ka një dosje me prova se koncesionari i markimit, GFI Albania, nuk ka kryer asnjë investim dhe është në shkelje të plotë të marrëveshjes, por nuk po ndërhyn duke e lënë kompaninë të veprojë në vullnetin e saj.
Grosistët e cigareve pohuan se kosto e pullës fiskale është rritur me tre herë me dhënien e saj me koncesion ndaj kompanisë SICPA. Vitin që shkoi llogariten 3.2 milionë euro pagesa vetëm për pullën fiskale nga grosistët e cigareve, të cilat janë transferuar në çmimet për konsumatorët fundorë, me më shumë se 2 lekë për paketë, ndërkohë që importi i cigareve është në rënie pikiatë dy vitet e fundit, çka tregon se ky shërbim nuk ka kryer funksionin e tij, atë të uljes së informalitetit.
Bizneset në Portin e Durrësit paguajnë një tarifë 50 lekë për paletë, e cila nuk është në librin e tarifave që ushtrohen në port, por vilet nga koncesionari Albanian Ferry Terminal dhe qeveria nuk ndërhyn. Në koncesionin e skanimit në dogana Rapiscan dhe për shkak të një gabimi në rinegocimin e kontratës, biznesi e pagoi fillimisht dy herë tarifën 22 euro për çdo deklaratë doganore, ndërsa financat u detyruan ta rishikojnë sërish marrëveshjen, me koston që tani do ta mbajë vetë buxheti.
Tarifa që do të reflektohet në çmimet e mallrave të importit rrezikon ta bëjë Shqipërinë më pak konkurruese në tranzitimin e mallrave në rajon.
Absurditeti qëndron në faktin se këtë tarifë e paguajnë edhe importuesit që nuk e marrin këtë shërbim dhe se një praktikë e tillë nuk aplikohet në asnjë vend europian.
Britanikët e Crown Agents dështuan në përmbushjen e detyrimeve për të rritur të ardhurat doganore me 100 milionë dollarë në vit. Por ata përfituan ndërkohë pagesat 8.5 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë.
Por të gjitha këto disfata nuk po shërbejnë si mësim për më shumë maturi në kontrata të tilla në të ardhmen.
Forma e re e koncesioneve me Partneritet Publik–Privat është kthyer në një rrezik real për arkën e shtetit, e cila duhet të paguajë një faturë të lartë kundrejt bizneseve që menaxhojnë këto koncesione, ndërsa nuk ka një analizë të saktë kosto-përfitime për të parë se sa përkthehen këto partneritete në shërbime eficiente për qytetarët.
Aktualisht, janë në fuqi 6 kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik-Privat (PPP) të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2017 të fillojnë dhe 2 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë. Pagesat nga arka e shtetit për këto kontrata, deri në vitin 2025, janë programuar të jenë 68 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro) nga të cilat, vetëm për vitin që vjen, do të paguhen mbi 7.3 miliardë lekë.
Sipas tabelës së Ministrisë së Financave, nga 68 miliardë lekë që do të paguhen deri në vitin 2025, shëndetësia do të marrë pjesën e luanit, me 40 miliardë lekë (rreth 290 milionë euro), apo rreth 60% të totalit, për katër koncesione:
1. Ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë (check-up) për periudhën 2015-2024, për të cilin buxheti do të shpenzojë gjithsej 7.82 miliardë lekë (57 milionë euro)
2. Ofrimi i shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, materialet në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve, dezinfektimin e sallave, për periudhën 2015-2025, me një shumë prej 12.3 miliardë lekësh (90 milionë euro)
3. Ofrimi i shërbimit të dializës për periudhën 2016-2025 për 9.47 miliardë lekë (70 mln euro)
4. Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore, që pritet të nisë vitin e ardhshëm, për periudhën 2017-2026, për të cilin buxheti do të paguajë 10.7 miliardë lekë (78 mln euro)
Ministria e Mjedisit ka në zbatim dy koncesione me vlerë totale 7.4 miliardë lekë (57 mln euro):
1. impianti i mbetjeve në Elbasan, për periudhën 2015-2022, me vlerë 3.3 miliardë lekë.
2. impianti i mbetjeve në Fier, për periudhën 2017-2022, me vlerë 4.1 miliardë lekë.
Ministria e Industrisë dhe Energjisë do të paguajë për 5 vjet, deri në 2019-n, rreth 6.7 miliardë lekë për rimbursimin e rrugëve ekzistuese për HEC-in e Devollit, një nga projektet më të mëdha në Shqipëri.
Ministria e Financave ka të parashikuar të paguajë për 15 vjet, deri në 2029 rreth 13.5 miliardë lekë për koncesionin e shumëdiskutuar të doganave, të cilin e miratoi qeveria paraardhëse, por që nuk u arrit të anulohej. Financat duket se kanë hequr dorë përfundimisht nga koncesioni i TVSh-së, që nuk parashikohet në shpenzimet koncesionare për dekadën e ardhshme.
Eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi, pohon se ka një problem të madh kushtetues me koncesionet. Qeveria e ka mandatin 4 vjet e nuk ka asnjë të drejtë ekskluzive që të lërë peng për 25 – 30 vjet apo më shumë, pa pasur konsensus të mjaftueshëm edhe nga të tjerët, në këtë rast opozita, tha ai. “Unë e kuptoj, qeveria është në nevojë dhe sheh koncesionin si zgjidhje, por mendoj gjithashtu se ka një abuzim dhe një teprim me to”, u shpreh ai. Preçi kujton se, me tre faqe biznesplan u mor skanimi i kontejnerëve në Dogana, nga të cilat 210 mln euro hynë në xhepat e kompanive të huaja, me bashkëpunëtorë shqiptarë.
Diskutime rreth kësaj post