Dritan Dajti, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 oficerëve të policisë, duket se ka vendosur të luajë me të gjitha shkallët e drejtësisë.
Ndonëse 10 muaj më parë Gjykata e Lartë vendosi të çelte gjykimin ndaj të pandehurit, të gjitha seancat e zhvilluara deri më tani kanë dështuar. Edhe seanca e radhës është shtyrë, pasi 45-vjeçari, një ish-student i Fakultetit të Drejtësisë depozitoi përmes avokatit të tij një kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit Edmond Islamaj.
Nuk dihen ende arsyet se, përse Dritan Dajti kërkon largimin e relatorit, i cili komunikoi se procesi shtyhet në një datë të pacaktuar, derisa një trupë tjetër gjyqësore të marrë në shqyrtim këtë kërkesë. E nëse gjyqtari përjashtohet, atëherë kreut të ri të këtij kolegji do t’i nevojitet sërish kohë për të studiuar dosjen. Por shumica e seancave të dështuara në Gjykatën e Lartë lidhen me mungesën e avokatit Alkend Shpendi, të zgjedhur, që në disa raste ka paraqitur raporte mjekësore.
Në gusht të 2009-s, 4 oficerë policie u vranë gjatë aksionit për kapjen e Dajtit, në atë kohë një ndër më të kërkuarit në vend. Përgjatë 7 viteve dhe gati 300 seancave gjyqësore, drejtësia hasi në manovra nga i pandehuri, që justifikohej se ishte në vështirësi financiare e s’mundej të siguronte mbrojtës.
Por nga ana tjetër, ai refuzonte të përfaqësohej nga avokatë të shtetit, ndërsa 49 prej tyre, në mënyrë të pashpjegueshme, ose sëmureshin befas, ose dilnin të njohur të Dajtit. Pas kërkesës për përjashtimin e gjyqtarit, një lëvizje që Dajti e përdori shpesh edhe në shkallët e tjera të gjyqësorit, nuk dihet ende nëse ai do të heqë dorë nga avokati që ka gjetur së fundmi, sikurse veproi edhe në Shkallën e Parë me avokatin që e përfaqësoi pak kohë, Hasaf Haderaj.
Nëse do të bëjë të njëjtën gjë, atëherë sërish gjyqësori hyn në ngërç, pasi edhe Gjykatës së Lartë do t’i duhet ta gjejë zgjidhjen tek avokatët kryesisht.
Diskutime rreth kësaj post