Ilir Meta ka përjashtuar një koalicion të mundshëm me PD-në, por nuk ka dashur të konfirmojë ripërsëritjen e marrëveshjes me LSI-në duke lënë të hapur mundësinë edhe për të dalë e vetme në zgjedhje qoftë edhe duke krijuar një koalicion të sajin me parti si LIBRA, Sfida ose ndonjë forcë tjetër e re.
Por duket se përllogaritjet nuk e favorizojnë shumë variantin e fundit, kjo për shkak se sistemi elektoral nuk e favorizon.
Gazeta Mapo ka marrë në analizë votën e zgjedhjeve parlamentare të 2013 si treguesi më realist i mbështetjes që ka secila forcë politike në popull për të kuptuar se si do të ndaheshin mandatet e deputetëve sot në kushtet kur koalicionet po rikonfigurohen.
“Për të kuptuar se çfarë fiton dhe në të njëjtën kohë humbet LSI nga një dalje më vete kemi bërë përllogaritjen e votave dhe ndarjen e mandatave një herë duke e përfshirë LSI-në në koalicion me PS-në përfshi edhe dy aleatët e rinj PDIU dhe FRD dhe herën e dytë duke e llogaritur LSI-në si një forcë e vetme.
Në rastin e parë LSI do të ruante sërish mandatet që mori në 2013, pra 16, ndërsa nëse del më vete duke marrë në konsideratë votën e zgjedhjeve të shkuara parlamentare do të merrte 5 deputetë më pak se sa në 2013.
Pra LSI nëse del më vete ose me një koalicion të sajin pa PS-në do arrijë të marrë vetëm 10 deputetë të sigurt, ndërsa i 11-ti është në mëdyshje.
Mjafton kjo përllogaritje për të kuptuar se në kushtet kur është përjashtuar mundësia për të dalë në zgjedhje me PD-në, dalja me PS-në është një domosdoshmëri.
Ndërkohë që PS me koalicionin e saj me PDIU dhe FRD, pa LSI-në, në bazë të votës së 2013, arrin të marrë 73 deputetë.
Ndërkohë që nëse këtij koalicioni do t’i bashkohej edhe LSI, atëherë të majtët do të merrnin 88 deputetë.
Më poshtë po analizojmë votat e 2013 për secilin qark, duke paraqitur si ndikojnë koalicionet dhe harta e re elektorale”, shkruan kjo gazetë, qe ka bere llogarite sipas qarqeve.
Berati
Në qarkun e Beratit në rast se PS dhe LSI do dalin bashkë në zgjedhje maksimalizojnë votën e tyre duke arritur të marrin 6 nga 7 mandate.
Ndërsa opozita do merrte vetëm 1 nga 2 që ka aktualisht. Sa i përket ndarjes së mandateve brenda koalicionit të majtë ato do ndaheshin në 4 për PS dhe 2 për LSI.
Ndërsa në rast se LSI do garojë më vete qoftë si partia ashtu edhe duke krijuar një koalicion të sajin, atëherë në këtë qark ajo do të humbiste 1 mandat, i cili do t’i kalonte opozitës.
Kështu, koalicioni i ri i PS-së do të merrte 4 mandate, opozita 2 dhe LSI 1. Pra, nga 2 që ka aktualisht do të zbriste në 1.
Dibra
Në Qarkun e Dibrës situata për shkak të numrit të vogël të mandateve nuk pritet të ndryshojë.
Kjo edhe duke iu referuar rezultateve të 2013, por duke konfiguruar koalicionet sipas lëvizjeve të mundshme që tashmë kanë nisur të bëhen faktike.
Kështu nëse PS dhe LSI dalin sërish në të njëjtin koalicion, atëherë ato do ishin një koalicion kryesues në vota por të barabartë me mandate me opozitën, pra do kishin nga 3 secili koalicion.
Ndërkohë që brenda koalicionit PS do merrte 2 mandate dhe LSI 1.
Situata nuk ndryshon edhe nëse LSI del më vete apo krijon një koalicion të sajin, pasi sërish PS do merrte 2, LSI 1 dhe PD 3.
Por në këtë rast LSI rrezikon shumë pasi mund ta humbasë mandatin nëse PS arrin të rikuperojë vetëm 800 vota.
Durrës
Sa i përket zonës zgjedhore Durrës, gjithmonë duke iu referuar votës së 2013-s, ndryshimit të hartës elektorale dhe lëvizjeve në koalicione, rezulton se mandati i shtuar në këtë qark i shkon koalicionit të majtë PS-LSI.
Nga 7 mandate në 2013 e majta do të merrte tashmë 8 mandate dhe kjo falë votave që sjellin FRD dhe PDIU në këtë qark.
Sa i përket ndarjes së mandateve brenda koalicionit ato do të ndaheshin 7 PS dhe 1 LSI. Pra, e fituar do të dilte PS.
Në këtë rast vlen të theksohet se për shkak të votave të marra në 2013 FRD vetëm për 150 vota mund të marrë një mandat në këtë qark duke qenë pjesë e koalicionit me PS.
Elbasani
Edhe në Elbasan një koalicion i majtë me bosht PS-LSI dhe me ardhjen e PDIU dhe FRD-së do të arrinte që të merrte 2 mandate më shumë se në 2013.
Por përfitimi real edhe në këtë rast do të ishte vetëm 1 mandat, pasi mandati tjetër do të ishte thjesht i kaluar nga PDIU nga e djathta ku kandidoi në 2013 në të majtë ku kandidon në këto zgjedhje.
Kështu koalicioni i majtë do merrte 10 mandate dhe opozita vetëm 4.
Ndërkohë që brenda koalicionit të majtë PS do 7 mandate (1 më shumë se në 2013), LSI 2 dhe PDIU 1.
Ndërkohë në rast se LSI do kandidojë në 2017 si forcë më vete ose me një koalicion të sajin, atëherë ajo rrezikon që të humbasë 1 mandat, i cili në këtë rast do t’i kalonte opozitës.
Koalicioni i PS-së me PDIU dhe FRD do merrte 8 mandate, opozita 5 dhe LSI 1. Asaj do i duheshin afro 5 mijë vota të tjera për të rimarrë mandatin e 2-të që e ka dhe tani.
Fieri
Në Qarkun e Fierit situata mes dy kampeve do të jetë e njëjtë, pavarësisht se PDIU dhe FRD kanë kaluar me koalicionin e majtë.
Kështu, nëse sërish PS dhe LSI konkurrojnë bashkë me prurjet e reja në koalicion, të majtët do të siguronin sërish 11 mandate, ndërsa opozita 5, aq sa edhe në 2013.
Ndërkohë që e humbur në këtë rast do të dilte PS, e cila një nga mandatet e saj do duhet t’ia lërë PDIU-së duke kaluar nga 9 në 8 mandate.
Më konkretisht brenda koalicionit mandatet do të ndaheshin 8 PS, 2 LSI dhe 1 PDIU.
Ndërsa nëse LSI do të dilte me vete atëherë ajo edhe në këtë qark do të humbiste 1 mandat.
Ajo që do të favorizohej në këtë rast do të ishte koalicioni i majtë, i cili do të merrte 10 mandate, nga të cilat 9 do i kishte vetëm PS.
Gjirokastër dhe Korçë
Gjirokastra është një nga zonat, në të cilën rikonfigurimet e koalicioneve sjellin ndryshime në shpërndarjen e mandateve mes koalicioneve.
Këtu ndryshimin e sjell PBDNJ, e cila me 2 mijë votat që çon djathtas i jep PD-së mandatin e dytë në këtë qark dhe duke i çuar raportet nga 4 me 1 në 3 me 2.
Ndërkohë që mandatet brenda koalicionit të majtë do ndaheshin 2 PS dhe 1 LSI. Pra në raport me 2013 PS do të humbiste 1 mandat.
Ndërkohë që dalja e LSI më vete, pra PS-në nuk sjell ndryshime, sërish PS do të kishte 2 mandate, 2 PD dhe 1 LSI.
Në Korçë i vetmi ndryshim vjen vetëm nga pakësimi në këtë qark i një mandati.
Nga kjo humbet PD, e cila nga 5 mandate do marrë vetëm 4.
Nga ana tjetër dalja e LSI-së më vete me një koalicion të sajin nuk sjell asnjë ndikim në shpërndarjen e mandateve.
Në tërësi PS do marrë sërish 6 mandate, PD 4 dhe LSI 1.
Kukësi
Edhe Qarku i Kukësit të vetmin ndryshim e pëson si pasojë e ndryshimit të numrit të mandateve, si rrjedhojë e ndryshimit të hartës elektorale.
Nga ky ndryshim humbet PD një mandat.
Kështu, mes koalicioneve të djathtët do kishin 2 mandate dhe të majtët 1.
Nuk sjell asnjë ndryshim as dalja e LSI-së më vete, në një koalicion pa PS.
Lezhë
Zona Zgjedhore e Lezhës pëson ndryshimet më të mëdha, si në raport me koalicionet ashtu edhe nëse LSI do dilte më vete.
Kështu sa iu përket raporteve mes koalicioneve, në rast se PS do të dilte me LSI dhe me ardhjet e reja (FRD dhe PDIU), atëherë të majtët do të përmbysnin raportet me të djathtë duke kaluar 4 me 3 mandate.
Pra, opozita do të humbiste 1 mandat dhe kjo për shkak të votave që i shton koalicionit FRD dhe PDIU.
Ndërsa sa i përket ndarjes së mandateve brenda koalicionit të majtë ato do ndaheshin 3 PS dhe 1 LSI.
Por LSI do ta humbiste mandatin që ka dhe tani në këtë qark nëse do dalë më vete ose me një koalicion të sajin.
Kjo pasi në një rast të tillë mandatin që do humbiste LSI do e merrte PD. Pra, në këtë rast çarja e votave mes PS dhe LSI do të favorizonte PD.
Shkodër
Në Shkodër ruan mazhorancën dhe mandatet që mori në 2013 me ardhjen e FRD dhe PDIU-së pavarësisht nëse PKD e Mark Frrokut (mori 6764 vota në 2013) do të jetë sërish në koalicion me PS-së ose jo.
Në këto kushte koalicioni i majtë PS-LSI dhe aleatët e rinj do të merrnin 6 mandate dhe opozita 5 mandate.
LSI mund të jetë e favorizuar nga largimi i PKD-së pasi mund të marrë mandatin e dytë brenda koalicionit.
Në Shkodër nuk ndryshon situata edhe nëse LSI del në një koalicion të sajin.
Sërish PS do merrte 5 mandate, PD 5 dhe LSI 1.
Tiranë-Vlorë
Përfshirja e PDI-së dhe FRD-së në koalicionin e majtë së bashku me PS dhe LSI, rezultatet i jep më së miri në Tiranë.
Kështu me afrimin e tyre, një koalicion i tillë por edhe me ndryshimin e hartës elektorale, gjithmonë duke iu referuar votës së 2013, do të shkonte nga 19 mandate që ka aktualisht në 21, ndërsa e djathta do të qëndronte sërish në 13 mandate.
Gjithsesi përfitimi real i koalicionit është vetëm 1 mandat, pasi 1 e ka sjellë PDIU me vete edhe gjatë kësaj legjislature.
Mandatet brenda koalicionit të majtë në këto kushte do të ishin PS 16, LSI 3, FRD 1 dhe PDIU 1.
Situata ndryshon nëse LSI do vendosë të dalë në një koalicion të sajin.
Kështu referuar votës së 2013, nëse LSI do të dilte më vete atëherë ajo do të humbiste një mandat, duke shkuar nga 3 në 2.
Por kjo do të favorizonte opozitën, e cila do të merrte mandatin e 14-të.
Për partitë e tjera një gjë e tillë nuk sjell ndryshime.
Qarku i Vlorës nuk pëson ndryshime qoftë sa i përket rikonfigurimit të koalicioneve, ashtu edhe daljes së LSI-së më vete.
PS mund të pretendojë për një mandat shtesë nëse merr 5 mijë vota më shumë.
Një rezervë e mirë votash për të janë afro 3 mijë votat që në 2013 i mori Arben Ahmetaj.
Diskutime rreth kësaj post