Nga Mero Baze
Partia Demokratike demonstroi sot sërish gatishmërinë e saj për të bllokuar në një periudhë afatgjatë, zbatimin e reformës në drejtësi, duke çuar në Gjykatë Kushtetuese një tjetër ligj, pjesë e paketës prej 7 ligjeve që bëjnë funksionale ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi. Bëhet fjalë për ligjin që rregullon formimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lart të Prokurorisë (KLP).
Partia Demokratike pretendon, se ligji është shmangur nga formula e miratuar në ndryshimet kushtetuese, më 22 Korrik. Është ekzaktësisht ligji, për të cilin Basha ktheu mendje ta votonte më 20 korrik dhe më 21 Korrik thirri: – “Fitore”, e ndryshuam!
Është teprim çdo epitet që mund t’i adresosh Bashës në këto momente. E vetmja analizë gjakftohtë, është të kuptosh hallin e tij.
Dhe për këtë, shikoni pak mbledhjen e sotme të Grupit parlamentar të PD. Mbledhjen e çeli si rrallë herë Genc Ruli, i cili dha alarmin se me këtë ligj elektoral, nuk shkohet në zgjedhje dhe pastaj për gjysëm ore është debatuar, përse nuk duhet shkuar në zgjedhje, ç’është ky popull që nuk ngrihet në protesta, pse nuk ja vlen të fillojmë fushatën, pse i kemi të humbura zgjedhjet, etj etj, qaramanllëqe deputetësh, që nuk janë votuar kurrë por thjeshtë janë emëruar. Të gjithë këto ankesa i ka dëgjuar edhe Lulzim Basha, i ka miratuar dhe vetëm aty nga fundi, është kujtuar të thotë, që “megjithatë do hyjmë në zgjedhje”.
Përfytyroni një lider që hyn të bëjë një mbledhje për të nisur betejën dhe gjtihë ushtarët i thonë “e kemi të humbur”. Përfytyroni më tej akoma, një lider i cili, nuk di si të pushojë lotët e ushtarëve të frikësuar ende pa filluar beteja.
Del nga kjo sallë mortore, i dalin para gazetarët, dhe fjalia e parë që ai thotë, nuk është ajo që ka parë dhe dëgjuar në sallë, por dërgimi në kushtetuese i ligjit për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Një kryetar opozite që del nga një mbledhje që vulos humbjen e partisë së tij, e vetmja gjë që i shkon në mendje të bëjë pas mbledhjes, është të ruajë ç’të mundet nga pushteti që ka. Dhe i vetmi segment pushteti që ai ka nën kontroll, është drejtësia.
Është kjo e vetmja llogari që Luzlim Basha bën duke zvarritur këtë proces. Ai mund të çojë dhe ligje të tjera pas këtij në Gjykatë, për të penguar zbatimin e tyre menjeherë. Nga gjithë ky presion, ai shpreson se do të arrijë të bëjë pazar për emra konkretë dhe segmente të drejtësisë për të qenë pjesë e pushtetit të tij. Një njeri që ka humbur shpresat se fiton pushtetin, shpreson tani të paktën të sigurojë veten e vet, që të mos ketë probleme me drejtësinë.
Tani mos u lodhni t’i thoni, që kjo që bën bie ndesh me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo vetë votat që ka dhënë PD më 22 Korrik. Kjo që ai po bën, është thjeshtë një përpjekje për ta vonuar sa të mundë zbatimin e reformës dhe për të ruajtur ushtarët e vet, aty.
Kur ai votoi reformën nën presion më 22 Korrik, shpresat e tij për një aleancë me LSI, ishin më të mëdha dhe perceptimi i tij, se reforma po ngjizte një koalicion të ri politik, ishte shumë afër.
Tani kjo shpresë duket se i është venitur. Nervozizmi i tij ndaj Ilir Metës reflektohet dukshëm, dhe po ashtu ironia e Ilir Metës ndaj tij. Tani ai nuk është më si në 22 Korrik kur shpresonte se reforma do ishte pronë e një shumice të re pas zgjedhjeve. Tani ai e shikon, që reforma do të jetë një mundësi më pak, për të pasur pushtet në drejtësi pas zgjedhjeve, dhe në kushtet kur nuk do ketë as pushtet politik, ai po shpreson së paku të ruajë ç’të mundet nga pushteti i vjetër në drejtësi. Të paktën sa për vete!
Diskutime rreth kësaj post