I ftuar në emisionin LOG., ish-ministri i brendshëm Sandër Lleshaj u pyet edhe për vettingun në polici, një proces që, sipas gazetarit Endri Xhafo, duket se varet nga humoret dhe parapëlqimet e ministrave të brendshëm.
Por ish-ministri Lleshaj u shpreh se vetë vettingu si koncept është i gabuar, sepse prezumon dyshimin, kurse barrën e provës ia lë të akuzuarit.
“Pra unë të dyshoj ty, tha Lleshaj, dhe tani të takon ty të më vërtetosh që je i pafajshëm”.
“Ndalemi pak këtu, u shpreh Xhafo, sepse këtë ma kishin thënë juristë, por është hera e parë që e dëgjoj të artikulohet publikisht. Dhe është e fortë”. “Sepse është e vërtetë, vettingu nuk duhet të kishte filluar, shtoi Lleshaj, është si koncept i gabuar kështu si u bë”.
Gazetari Xhafo vuri në dukje se vettingu në polici filloi nga paraardhësi i Sandër Lleshajt, ish-ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj, i konsideruar edhe si një nga arkitektët dhe zbatuesit e reformës në drejtësi.
Pyetjes nëse vettingu në polici u pezullua nga rezultatet e vettingut në drejtësi, që zbrazi radhët e gjyqësorit dhe prokurorisë, Sandër Lleshaj iu përgjigj: “Nuk e menduam kaq filozofikisht. Thjesht nga pikëpamja praktike vettingu i mbi 12 mijë uniformave blu, nuk mund të bëhet”.
Diskutime rreth kësaj post