Top Story nisi për herë të parë transmetimet për ditën e hënë dhe i ftuar në këtë takim të parë, ishte Prokurori i Përgjithshëm i vendit, Adriatik Llalla.
Përballë gazetarit Sokol Balla, numri një i organit të akuzës mbërriti pak ditë pas arrestimit të Spiro Kserës, ish-ministër i Mirëqënies Sociale, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion duke abuzuar me 30 milionë lekë të rinj.
A do të jetë rasti “Ksera” një precedent që do të pasojë të tjera arrestime në nivele të larta ish-zyrtarësh dhe zyrtarësh aktualë?
Intervista
Sokol Balla: Ku janë hetimet për rastin “Ksera”?
Kryeprokurori Adriatik Llalla: Janë edhe dy masa të tjera që priten të ekzekutohen nga ana e policisë, mund të ketë edhe të dyshuar të tjerë, por deri në këtë fazë janë këta të dyshuar.
Sokol Balla: A ka patur presion politik dhe pse u mor tani vendimi?
Kryeprokurori Llalla: Rasti ka një të veçantë, çështja ka nisur mbi bazën e kallëzimit të KLSH mbi ish-drejtorin e kabinetit të Kserës që po vuan dy dënime. Gjatë hetimeve të rastit, prokuroria arriti të zbulonte se krahas veprimeve të kundraligjshme të drejtorit të Kabinetit ka edhe shkelje të tjera ligjore nga ana e kësaj ministrie, përfshirë edhe ministrin Ksera. Hetimet çuan në zbulimin e kësaj afere korruptive.
Sokol Balla: A ka pasur presion politik?
Kryeprokurori Llalla: Nuk ka asnjë rast presioni politik ndaj prokurorisë. Vendimi për masën e arrestit është marrë pas përfundimit të hetimeve.
Sokol Balla: Duket sikur ky arrestim erdhi pas vizitës tuaj në Kroaci dhe dihet precedenti pozitiv kroat që solli një spastrim deri në rrënjë të korrupsionit, ka njëfarësimbolike kjo?
Kryeprokurori Llalla: Vizita në Kroaci ishte për bashkëpunimin dhe për të vlerësuar në kontributin e rëndësishëm në integrimin. Rasti nuk ka lidhje me vizitën time atje, që ishte në kuadër të shkëmbimit të përvojave. Kontributi i prokurorisë është tejet i rëndësishëm në integrimin e vendit dhe modeli kroat vlerësohet si më i suksesshmi.
Sokol Balla: Kur flisni për rëndësinë që ka posti juaj, keni të drejtë pasi njerëzit kanë një perceptim të dobët për drejtësinë, që kap vendin e fundit, aq keq perceptohen. Mua më shkojnë ndërmend vetëm disa nga proceset e mëdha, që duhet të kishin marrë një zgjidhje, le të themi 21 Janari psh, dhe familjarët mendojnë që prokuroria ka prova për të rihapur procesin deri në zinxhirin e komandës, duket sikur prokuroria nuk po bën asgjë në këtë drejtim…as qeveria.
Kryeprokurori Llalla: 21 janari ka nisur dhe është hetuar para se të vija unë dhe nga të dhënat për këtë ngjarje, është kryer një punë e lavdërueshme. Të dyshuarit janë marrë në përgjejgësi penale për veprën e vrasjes me dashje. Pavarësisht kërkesës tonë, gjykata ka mbajtur tjetër qëndrim dhe rekursi ndodhet në Gjykatën e Lartë dhe është në proces shqyrtimi. 21 Janari ka të pa zbardhur vrasjen e Aleks Nikës, për të cilën prokuroria pasi ka kryer shumë veprime hetimore nuk ka mundur të zbulojë autorin e kësaj. Veprimet për zbulimin e kësaj vrasjeje vijojnë të kryhen në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Diskutime rreth kësaj post