Ngjarjet e rënda ndodhur së fundmi në qytetin bregdetar të Durrësit janë rrjedhojë e përplasjeve për trafikun e lëndëve narkotike, si edhe për përfitime të padrejta të pronës.
Kryeprokurori Adriatik Llalla, i pranishëm sot në analizën vjetore të punës së prokurorisë së rretheve gjyqësore Elbasan, Kavajë dhe Durrës, Llalla deklaroi se “janë disa grupe kriminale që dyshohet se veprojnë në zonën e Durrësit, të cilët tashmë po tentojnë hapur të sfidojnë autoritetin e shtetit, për të realizuar qëllimet e tyre kriminale”.
Ai tha se ka rritje të ndjeshme të volumit të punës, ka përmirësim të treguesve të ndjekjes penale për rastet e dërguara në gjykim. Siç ka edhe numër të lartë vendimesh mosfillimi, pushimi dhe pezullimi. Ka problematika me policinë gjyqësore, shërbimet e ekpertimeve etj.
Por duke u ndalur në disa ngjarje të rënda të ndodhura kohët e fundit në Durrës, kryeprokurori tha se në radhë të parë nga Prokuroria e Durrësit, por më tej edhe nga gjithë prokuroritë e tjera si dhe Prokuroria për Krime të Rënda, që të bashkërendojnë veprimet e tyre me Policinë e Shtetit dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese, për të identifikuar plotësisht autorët e këtyre veprave penale.
Ai kërkoi që të zbulohen motivet e vrasjeve dhe përplasjeve të tjera me pasoja të rënda duke apeluar për një impenjim më i madh në evidentimin e interesave pasurore të personave të dyshuar si anëtarë të këtyre grupeve kriminale.
“Prokuroria e Përgjithshme e kupton më së miri se kjo është një sfidë e vështirë, pasi grupet kriminale kanë aftësinë që të bashkëpunojnë me zyrtarë publikë dhe hetimet jo gjithnjë ecin me ritmin e duhur. Gjithësesi, është shumë e rëndësishme që të forcohet bashkëpunimi me të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, si edhe të shfrytëzohet plotësisht informacioni i partnerëve ndërkombëtarë. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të forcojmë sigurinë në vendin tonë”, deklaroi Kryeprokurori.
Diskutime rreth kësaj post