Në ambientet e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë është organizuar takimi i parë me anëtarët e sapo zgjedhur të bordeve të rekomandimit të literaturës për bibliotekat në institucionet e arsimit parauniversitar publik.
Ministrja Evis Kushi nëpërmjet një publikimi në rrjetin social Facebook, ka informuar në lidhje me funksionin dhe rëndësinë e dy bordeve, përkatësisht bordit për literaturën artistike e shoqërore, si dhe bordit për literaturën shkencore dhe didaktike.
“Këto borde do të shqyrtojnë, vlerësojnë dhe përzgjedhin listën e titujve të librave shkencorë, metodikë, didaktikë dhe artistikë që i shërbejnë shkollave tona dhe veprimtarive jashtëshkollore për nxënësit”, – shkruan Kushi.
Duke theksuar rëndësinë e librit tradicional, Ministrja Kushi shton se këto kohë leximi dhe libri tradicional janë në sfidë përballë zhvillimit të teknologjisë, tendencave dhe stilit të ri të jetesës.
“Prandaj është përgjegjësi e jona që ta kemi në vëmendje të veçantë pasurimin e bibliotekave me tituj dhe autorë të rinj në mënyrë që nxënësit të jenë miq të ngushtë të librit dhe vizitorë të rregullt të bibliotekave të shkollave”, – shprehet ministrja.
Diskutime rreth kësaj post