Nga Anri Bala
Ah miku im, veç t’i shohësh demonët që kanë brenda! Nuk ke faj, se si të majmur e të llustrosur që janë… e ke pak të vështirë t’i dallosh. Por ama, turfullimën i’u a dëgjon si u zien përbrenda! E ndjen teksa flasin t’u thahet buza, t’u qelbet goja shpirtkalburve…! E teksa duan të të ngulisin mashtrime allasoj, u skuqen sytë si të marrit. Njeriu nuk është i bukur se ka fytyrën pikturë, por është i bukur nga ajo pjesë që nuk duket… shpirti, thoshte gjyshi im i ndjerë, ndaj prej shpirtit shikoje e vlerësoje… në është djall apo engjëll!
Askush nuk më bind dot sot, se një njeri që mashtron sa hap sytë, na qenkërka shpirtmirë! Ai nuk na mashtron dot me xhaketa, këmisha të bukura, kravata apo përveshje mëngësh, se me demek i’a ke hyrë kësaj pune për ne, prandaj do t’a çoi deri në fund, se i dhimbsemi ne të varfërit, e prej nesh po flijohet! Kot mundohet e perdridhet, se ëndrra nuk bëhet kaq lehtë realitet! E ka të pamundur dhe a e di pse? Ai nuk e ndjen dot peshën e varfërisë, të asaj menxyre që na ka kapluar shpirtin, e teksa atij i thahet buza nga mashtrimet, ne na thahet buza për ujë, e teksa atij i dridhet zëri për pushtet, ne na dridhet zëri për e bukën e gojës dhe na hanë duart për punë e përditëshme të kafshatës së fëmijëve.
Ndaj të lutem edhe njëherë, largohu prej tij, largohu prej tyre! Miku im vëri “veshin” shpirtit, e mos i’a pesho fjalët… hidhi sytë zemrës e jo surratit të tij! Aty do e kuptosh se nuk është soji yt, aty do kuptosh se nuk i dhimbsesh aspak, por vetëm sa i pështirosesh.
Nëse atij do t’i thahej buza për ujë, e dridhej zëri për kafshatën e fëmijëve, do të tundeshin muret nga fjalët e thëna. Do e kuptoje menjëherë se nuk tallet as me ty, e as me veten dhe ditët në “çadrën e kampingut”… do të ishin më të shkurtra.
Por intriganti pa shok, stërhollon dhe përsos mashtrimet duke të pasur ty për krahu! Fërkon barkun teksa të sheh ty aty, vizitorin e vrarë e të shpërfytyruar nga dora e tij, teksa ti e duartroket. E ti nuk bënë asgjë më shumë se sa legjitimon përdhosjen e gjithë këtyre viteve. Por ama disa gjëra të “përbashkëta pak si të kundërta” i keni, këtë nuk e mohoj dot: ti kërkon bukë, ai të ruaj miliardat e vëna në kurrizin tënd… ti kërkon shtëpi, ai të ruaj sarajet e tij… ti i shkretë kërkon drejtësi, ai kërkon të qëndrojë sa më larg prej saj!
Ai të vetmin mjet të sigurtë për të ndikuar sadopak tek ti, ka intrigën dhe shpifjen, sepse e di që diçka prej saj do mbesi. Ajo diçka sot, është shumë nesër, duke u thënë në çdo minutë e në çdo vend. Ai e shikon sa shumë janë shtuar treguesit e përrallave dhe thurësit e intrigave?! I gjenë kudo, si bretkocat në moçale duke kënduar në kor, të njëjtën melodi prej shumë vitesh. Këndojnë për ty, por edhe për mua që nuk i dëgjoj. Pak rëndësi ka, ata bëjnë punën e tyre, derisa dikush t’i ndaloj me ligj apo me dhunë. Shpifësit as nuk skuqen dhe as nuk zverdhen, por rropaten e sfiliten, për ta bërë shpifjen aq të “vërtetë”, e pasi ta kenë thënë disa herë… ta besojnë edhe vetë.
Ndaj duke bërë “turistin” dëgjues, të damkosën: Të bënë “hajdut” pa vjedhur askënd… të bënë vrasës pa i prekur fijen e floku askujt… të pagëzuan bashkëpunëtorë pa qenë askund “hjeks”! Mos e detyro veten të ndjehesh fajtor sot, i mashtruar nga halli! Nesër nuk është vonë që të pendohesh! Pasnesër do jetë më mirë të zgjedhësh, nëse do të luftosh për vete dhe jo për… mashtruesit. Sepse ne, që nuk i dëgjojmë po presim: Ligj a kanun, që i ndalon këta të poshtër!
Diskutime rreth kësaj post