Ylli i futbollit Lionel Messi, ka pësuar një dëmtim vetëm dy javë para se Argjentina ta fillojë aventurën në Kupën e Botës, kapiteni i Argjentinës do të mungojë në ndeshjen e Paris Saint-Germain kundër Lorient në kampionatin francez për shkak të dëmtimit në “thembrën e Akilit”.
Klubi francez ka deklaruar se dëmtimi nuk është shumë i rëndë dhe pret që argjentinasi të rikthehet javën e ardhshme në stërvitje të plotë për ndeshjen kundër Auxerre, që do të jetë edhe e fundit para Botërorit.
Por duke qenë se është në moshën 35-vjeçare, frika për rikuperimin e plotë të argjentinasit është e madhe, teksa bëhet gati për Botërorin e Katarit, që me shumë mundësi do të jetë i fundit për të.
Skuadra “albiceleste” e drejtuar nga Lionel Scaloni, është e dëshpëruar për të siguruar trofeun që i mungon prej vitit 1986 dhe besimi është rritur se ky mund të jetë viti i duhur, pasi në 2021-shin arritën të fitonin Kupën e Amerikës.
Muajin e kaluar, në një intervistë televizive, argjentinasi foli hapur se i frikësohej një dëmtimi që mund ta mbante larg Botërorit.
“Dëmtimet sigurisht që më shqetësojnë. Ky është një Botëror ndryshe, që luhet në një periudhë të ndryshme të vitit… Është kaq pranë dhe çdo gjë e vogël që mund të ndodhë, mund të të lërë jashtë turneut”, pati deklaruar Messi për “DirectTV”. “Duke parë atë që i ndodhi Dybalas dhe Di Marias, e vërteta është se frika dhe shqetësimi është rritur. Shpresoj që Di Maria dhe Dybala të mos mungojnë. Kanë kohë të mjaftueshme për të arritur në formë për Botërorin”.
Diskutime rreth kësaj post