Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, ka mbledhur sot me urgjencë krerët e grupeve parlamentare për dosjen që i ka dërguar dje Autoriteti i Dosjeve mbi dokumentet e Sigurimit të Shtetit. Referuar kësaj të fundit, një politikan i lartë me iniciale I.M rezulton se ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit.
Newsbomb.al mësoi dje se politikani i lartë që rezulton me dokumente se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, është ish-presidenti i vendit Ilir Meta. Sipas asaj që ne mësuam, ka qenë një email anonim që i ka mbërritur AIDSSH, një orë pasi Meta doli nga zyra e Presidentit.
Deri në këto momente, Lindita Nikolla ka zhvilluar takimin me Ballën, ndërkohë që pritet të takojë edhe Enkelejd Alibeajn e Fatmir Mediun. Kryeparlamentarja do ju vërë atyre në dispozicion dosjen e përgatitur nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit.
Po ashtu, bëhet me dije se Ilir Meta ka spiunuar një shokun e tij, i cili të vetmin gabim që kishte bërë ishte se po mendonte të arratisej nga Shqipëria gjatë regjimit komunist. Meta ka bashkëpunuar me ish-Sigurimin famëkeq dhe ka njoftuar për planin e shokut të tij.
“Në kuadër të punës së përditshme me përpunimin e materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit, së fundmi Autoriteti është ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik. Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit.
Konstatimi u shqyrtua me përgjegjësi dhe materialet u bënë të njohura për të gjithë anëtarët e zgjedhur. Me vendimin nr. 321, datë 26.07.2022 të Autoritetit, të dhënat iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë”,– njoftoi dje Autoriteti i Dosjeve, duke kërkuar dhe ndryshimin e ligjit, pasi Ilir Meta rezulton se ka marrë një certifikatë pastërtie të figurës vite më parë, nga komisionet e njohura nga publiku si Mezini-Bezhani.
Në këto kushte, Autoriteti i Dosjeve nuk mund të verifikojë figura të tilla nëse ato kanë një certifikatë pastërtie figure të mëparshme, vetëm nëse ndryshohet ligji.
Diskutime rreth kësaj post