Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka folur në Komisionin Parlamentar në lidhje me ligjin për studentët e Mjekësisë, të cilëve do u mbahet diploma për 5 vite.
Kushi i është përgjigjur deputetëve të opozitës, të cilët thanë se në këtë mënyrë studentëve u shkelet e drejta. Ministrja u shpreh se studentët kanë mundësi zgjedhje dhe ndaj do të nënshkruhet një marrëveshje, ku ato do vendosin dhe do kenë mundësi zgjedhjeve nëse do qëndrojnë 5 vite dhe të shërbejnë në vend, apo të paguajnë një tarifë.
“Ne nuk i detyrojmë studentët. Pra studentët nuk vendosen përpara një detyrimi. Studentët janë të lirë të zgjedhin nëse do të përfitojnë nga lehtësirat, apo jo. Dhe meqenëse iu referuam nenit 57 të kushtetutës, atëherë unë po i përmbahem argumenteve ligjore që janë përfshirë edhe në relacion, që të jem sa më e saktë.
Pra projektligji është në përputhje me nenin 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku përcaktohet e drejta për arsimim, si një e drejtë universale dhe kushtetuese. Ligji nuk e cenon thelbin e kësaj të drejte kushtetuese. Duke qenë se çdo student ka të drejtë të zgjedhë, nëse dëshiron të përfitojë nga lehtësitë që krijohen me nënshkrimin e marrëveshjes, apo nëse nuk pranon për të lidhur këtë marrëveshje.
Duke iu përgjigjur detyrimit që lindin për pagesat e tarifave të studimit. Respektohet parimi i sigurisë juridike. Ku respektohet vullneti i lirë i çdo kandidati apo studenti për të vendosur vetë nëse do të përfitojë nga të drejtat e përcaktuara në këtë ligj apo jo. Në këtë mënyrë nuk kemi cenim të të drejtës së fituar për studentët e viteve të ndërmjetme, pasi tarifat e reja të përcaktuara në rast të mosnënshkrimit të marrëveshjes i referohen vetëm viteve të mbetura. Pa patur asnjë efekt prapaveprues dhe bazohen vetëm në koston e studimeve për këtë program”, tha Kushi.
Kushi në lidhje me këtë ligj ka thënë se kjo është një politikë që përdoret edhe në vendet e tjera, madje edhe BE.
“Dua gjithashtu të theksoj, kjo është një politikë që aplikohet edhe në vendet e tjera. Ne nuk e kemi shpikur. Ne kemi parë politika të ngjashme edhe në shumë vende, madje edhe të vendeve të BE-së. Natyrisht çdo lloj politike është përshtatur edhe me specifikat por në thelb është pikërisht ky, motivimi dhe gjetja e mekanizmave për t’i mbajtur mjekët e rinj që të punojnë dhe kontribuojnë në , vendin e tyre”, u shpreh ministrja.
Diskutime rreth kësaj post