Lëvizja Socialiste për Integrim(LSI) mblodhi të premten Komitetin Drejtues Kombëtar në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet për kryetar të partisë, që do të mbahen më 6 nëntor. Në fjalën e tij, kryetari i LSI-së, ILir Meta, njëkohësisht kryetar i Kuvendit, mes të tjerash u ndal në dy çështje të debatueshme kohët e fundit, siç janë ligji për menazhimin e integruar të mbetjeve dhe reforma në arsimin e lartë. Sa i takon ligjit të mbetjeve, i kthyer së fundi për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti, Meta propozoi një ekspertizë të thelluar të Bashkimi Europian.
“Debati për ligjin e mbetjeve është i kuptueshëm, për shkak të ndjeshmërisë në rritje të shoqërisë për mjedisin dhe qëllimi ynë nuk ka qënë për zgjidhje oportuniste, por për zgjidhje parimore që garantojnë interesin e gjëre të publikut dhe kjo ka qënë arsyeja që ne kemi insistuar për dialog të ngushtë me shoqërinë civile. Jemi në një situatë ku kemi një intepretim të ndryshëm të direktivave të BE-së. Të pranojmë një ekspertizë të thelluar të BE në këtë drejtim, sepse miratimi i ligjeve në mënyrë konfliktuale dhe kur konflikti është i stisur për një çështje sensitive dhe shoqërimi gjithmonë i zbatimit me një dyshim të përhershëm, kjo nuk është pozitive”, u shpreh Meta.
Ndërsa lidhur me reformën në arsimin e lartë, problemet në zbatimin e saj, janë rezultat i moskoordinimit në kohën e duhur të qeverisë, ministrise dhe universiteteve, tha Meta.
“Ligji u mbështet nga LSI, por duke e thënë qartë se në rast se nuk do të zbatohej në mënyrën e duhur nëse aktet nënligjore nuk do të bëheshin në kohë, pasi procesi gjithëpërfshirës me gjithë grupet e interesit, përfaqësuesit të trupës akademike, studentëve, maturantëve e kështu me radhë kishte shqetësime për suksesin e plotë të tij në zbatim. Praktikisht është hapur një debat i cili vetëm në fund të këtij procesi do të mund të japë konkluzione të qarta lidhur me efektivitetin e formulave të zbatimit të këtij ligji. Për ne, absolutisht që gjithçka ka qënë e evitueshme në rast se procesi i gjithë akteve të tjera të qeverisë, minsitrisë apo të universiteteve do të ishin koordinuar në kohën e duhur në mënyrë që të kishim një përputhshmëri sa më të suksesshme midis meritës dhe preferencës. Për ne nuk është çështje statistike, por për ne dhe një njeri nëse do të lëndohej pa të drejtë nga një proces apo reformë është një problem dhe një ftesë serioze për rivlerësim dhe për rishikim jo të reformës, por mënyrës së zbatimit të kësaj reforme”, tha Meta.
Reforma në drejtësi hap një faqe të re për vendin
Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, Meta vuri në dukje angazhimin dhe insistimin e LSI-së, për miratimin me konsensus te saj. “Është shumë e rëndësishme të ndërtojmë një drejtësi që është sa më pak e cënuar nga konfliktualiteti politik, i cili, bashkë me ndërhyrjet politike në sistem, sollën dekompozimin e drejtësisë në vend, theksoi kreu i Kuvendit.
Pas konsensusit më 22 korrik të vazhdojmë te shërbejmë me përgjegjësi maksimale që kjo reformë të mund jo vetëm të na garantojë një rekomandim pozitiv të KE-së për çeljen e negociatave, por dhe të na hape një faqe të re për vendin. Dhe janë të gjitha mundësitë për këtë, theksoi Meta.
Reforma zgjedhore, mbështesim gjithshka që i shërben transparences dhe integritetit të zgjedhjeve 2017
Sa i takon reformës zgjedhore, që po diskutohet ne parlament, duke u shprehur per zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-t, Meta tha se LSI mbështet gjithshka që i shërben transparences dhe integritetit të zgjedhjeve 2017. Me këtë rast ai i kërkoi kreut të grupit parlamentar, Petrit Vasili që të paraqesë propozimet e LSI-së në komisionin e posacem, të cilat, tha ai, i shërbejnë këtij integriteti, që ai të mos dëmtohet dhe për shkak të disa vakumeve që kane të bëjnë me masa të forta dhe penalizuese për fenomene të shëmtuara, që kanë ndodhur në zona të caktuara të vendit.
Zgjedhjet ne parti, Meta:LSI i ka qëndruar marrëveshjeve
S i takon zgjedhjeve për kryetar të LSI-së, Meta duke iu drejtuar anëtarëve të Komitetit Drejtues, kërkoi një organizim më të mirë të strukturave të partisë për të përmirësuar raportin me anëtarësinë, që duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm. “”Kjo do t’i shërbente dinamizimit të strukturave të LSI, duke i ushqyer ato me ide, që vijnë nga anëtarët dhe ambjentet ku ata jetojnë e punojnë. Po ashtu duhet të forcojmë llogaridhënien e këtyre strukturave që duhet të hapen dhe jo të mbyllen. Për këtë, theksoi Meta duhet një drejtim më kolegjial në të ardhmen që ndjek përditë ecurinë e zbatimit të vendimeve të LSI, por dhe perfomancën e partisë si forcë politike dhe qeverisëse. “Mendoj se LSI është një forcë e identifikuar qartë në stabilitetin politik të vendit dhe i ka shërbyer me besnikëri këtij stabiliteti. Po kështu edhe në vullnetin e saj për t’i qëndruar marrëveshjeve, përfshi dhe asaj me koalicionin, në mënyrën më luajale dhe konstruktive, jo vetëm me qeverinë, por dhe me qytetarin, me të cilët kemi detyrimin më të parë”, theksoi kreu i LSI-së.
Diskutime rreth kësaj post