Dje është liruar nga detyra e kreut të Policisë së Shtetit Haki Çako. Pozicioni i drejtuesit të Policisë së Shtetit tashmë i është besuar Rebani Jaupaj, i cili do qëndrojë i komanduar në këtë post, deri në emërimin e një drejtuesi tjetër nga ministrit i Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Personi më tepër i nominuar për të qenë në krye të Policisë së Shtetit është Ardi Veliu, i cili aktualisht drejton policinë e Tiranës. Vendimi për lirimin nga posti i drejtimit të organizatës së Policisë, është marrë pas një takimi konsultativ mes ministrit aktual të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe drejtorit Çako.
Ministri Xhafaj, vlerësoi kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e Çakos në drejtimin e Policisë së Shtetit, gjatë viteve të fundit. Ai ka një karrierë të gjatë në Polici dhe ka drejtuar me profesionalizëm struktura të niveleve të ndryshme.
“Me propozim të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Këshilli i Ministrave miratoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako”-thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme.
Vetë Haki Çako nuk ka pranuar të japë një koment lidhur me lirimin e tij nga kjo detyrë, duke e lënë mister nëse do vijojë të qëndrojë mes radhëve të policisë apo të emërohet diku tjetër, jashtë kësaj strukture. Kjo pasi në nenin 15 të ligjit për “Policinë e Shtetit” drejtori i policisë pas lirimit nga detyra nuk mund të jetë më pjesë e policisë. “…drejtori i Policisë së Shtetit, pas përfundimit të afatit të qëndrimit në detyrë, nuk rikthehet në strukturat e Policisë së Shtetit.
Në interes të shërbimit të rendit dhe sigurisë publike ai mund të kryejë funksione të tjera këshillimore ose pedagogjike. Pas përfundimit të mandatit, ish-Drejtori i Policisë së Shtetit gëzon trajtim të veçantë, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave…”-thuhet në ligjin për Policinë e Shtetit. /Shqiptarja.com
Diskutime rreth kësaj post