Banka e Shqipërisë ka dërguar në parlament një projektligj që parashikon se si mund të bëhet ndërhyrja e shtetit në një situatë të jashtëzakonshme në banka të nivelit të dytë.
Një nga qëllimet e këtij projektligji është shmangia sa më shumë e nevojës për ndërhyrje me fonde nga shteti. Projektligji synon të vendosë në dispozicion të Bankës së Shqipërisë (Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme) një tërësi instrumentesh ligjore për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshmërisht e hershme dhe e shpejtë në rastin e një banke në pozita jo të shëndosha ose në gjendje kolapsi në mënyrë që të sigurohet vijueshmëria e funksioneve financiare dhe ekonomike me rëndësi kritike të bankës.
Projektligji i propozuar i jep Bankës së Shqipërisë një tërësi instrumentesh ligjore në dispozicion për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshmërisht e hershme dhe e shpejtë në rastin e një banke në pozita jo të shëndosha.
Sipas projektligjit, Banka e Shqipërisë mund të ketë edhe të drejtën për të shkarkuar dhe zëvendësuar administratorët e bankës dhe organet drejtuese të saj, të drejtën për të emëruar një administrator të posaçëm, të drejtën për të transferuar aksionet, aktivet dhe detyrimet e bankës te palët e treta pa marrë miratimin e aksionarëve ose kreditorëve, si dhe të drejtën për të anuluar aksionet ekzistuese dhe emetimin e aksioneve të reja me qëllim zëvendësimin e aksionarëve ekzistues.
Diskutime rreth kësaj post