Fitore bindëse apo jo, Angela Merkel e siguroi mandatin e katërt në krye të qeverisë, duke rivalizuar me udhëheqësit më jetëgjatë të pasluftës, Konrad Adenauer dhe Helmut Kohl.
Vajza e priftit protestant nga Europa Lindore do të mbetet gruaja më e fuqishme në një botë të mbushur me udhëheqës meshkuj të paqëndrueshëm.
Rezultatet e CDU-së ishin më të dobëtat në dekada, e megjithatë, koalicionin nuk e formon dot askush tjetër. Asnjë parti apo politikan nuk është më i fortë sesa ajo.
Shtylla e fortë e qendrës së majtë, SDP-ja i ngjason një bime në vyshkje. Drejtuesi i saj, Martin Schulz shijoi 10 minuta deliri këtë pranverë, kur u shfaq si një figurë e re plot hir dhe pushtoi vendin e parë në sondazhe.
Problemi është se, sa më gjatë që gjermanët e shikonin, aq më pak e arrinin ta imagjinonin si Kancelarin e tyre të ardhshëm. Schulz dhe aleatët e tij të SPD-së ndajnë një ngërç të përbashkët me partitë tradicionale të qendrës në Europë: mungesën e aftësisë për të artikuluar me forcë se çfare i motivon, se për çfarë luftojnë, apo edhe nëse luftojnë për ndonjë gjë që të tingëllojë bindëse për votuesit.
Një prej momenteve të mëdha të Schulzit këtë pranverë ishte kur bëri përpara e shprehu indinjatë të thellë ndaj nënçmimit të Trump për Merkelin, treguar me deklaratën se po e shkatërronte Gjermaninë.
Por ai episod thjesht dëshmoi sesa pak i nevojitej udhëheqëses së sprovuar e të qetë mbrojtja e Schulzit apo kujtdo tjetër. Ajo u përgjigj shkurt, duke e bërë të qartë se është koha që Gjermania ta marrë “në duart e veta fatin e saj”, e duke u shfaqur gjithmonë e më shumë në Europë si alternativa e vërtetë e Donald Trump.
Por aureola e pathyeshmërisë, me këto zgjedhje është lëkundur fort. Merkel e pranoi se votimet do të ishin më të vështirat që prej bashkimit të Gjermanisë dhe bisedimet e koalicionit nuk kanë për të qenë të lehta.
Sa për formulën e famshme “Wir schaffen das”, (Mund t’ia dalim mbanë), ajo funksionoi jo thjesht si ftesë humanitarizmi krahëhapur, por edhe si shprehje e potencialit për aksion. Tani, sidoqoftë, me shumë gjasë do t’ia lërë vendin një tjetër motoje: kohezionit social.
Diskutime rreth kësaj post