Është e arsyeshme të pohohet se njeriu i sulmuar nga hajdutët në parabolën e famshme të Krishtit, kishte një të drejtë- një të drejtë morale- mbi ata që kalonin pranë tij dhe që vetëm njëri, Samaritani i Mirë ishte i përgatitur t’i përgjigjej. Por raste të tilla të moralit bazë, imponojnë të drejta mbi secilin nga ne individualisht dhe shteti nuk mund të përgjigjet në emrin tonë.
Nga Roger Scruton
-Si të jesh i djathtë
Që këtu egalitaristët (flamurtarët e barazisë) kanë nisur të fusin më shumë të drejta pozitive në listën e lirive negative, duke shtuar të drejtat e specifikuara nga konventa të ndryshme ndërkombëtare, me të drejta që jo thjesht kërkojnë mos ecje përpara nga të tjerët, por që imponojnë mbi ta një detyrë. Dhe në këtë ata po tërhiqen në rrënjën tjetër të idesë së të drejtave-rrënjën e ‘ligjit natyror’, që kërkon që çdo kod legal të përshtatet me një standard universal. Kjo është e dukshme në Deklaratën e të Drejtave të njeriut të OKB-së, që fillon me një listë të drejtash dhe më pas befasisht, në artikullin 22, nis e bën pohime radikale kundër shtetit-pohime që mund të realizohen vetëm me aksion pozitiv nga qeveria. Ja artikulli 22:
Si anëtar i shoqërisë, gjithkush ka të drejtën e sigurimit shoqëror dhe realizimit të të drejtave ekonomike, sociale, kulturore të domosdoshme, për dinjitetin e vet dhe për zhvillimin e lirë të personalitetit, me ndihmën e shtetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në përputhje me organizimin dhe mundësitë e çdo shteti…
Rëndon pesha e një filozofie politike mbi këtë artikull. Brenda kësaj të drejte, është një listë e paspecifikuar të drejtash të tjera, të quajtura “ekonomike, sociale dhe kulturore”, që mbahen si të domosdoshme, jo për lirinë por për “dinjitetin” dhe “zhvillimin e lirë të personalitetit”. Çfarëdo që të thotë kjo në praktikë, është e qartë se ajo me gjasë do të përfshijë një zgjerim të konsiderueshëm të fushës së të drejtave njerëzore, përtej atyre lirive bazë të njohura në Deklaratën Amerikane. Ato liri bazë janë të domosdoshme për çdo lloj qeverie të pranuar; një gjë e njëjtë nuk është e vërtetë për pohimet e shprehura në artikullin 22 të Deklaratës së OKB-së. Deklarata ecën në këtë drejtim duke përfshirë të drejtën e punës, të pushimit, të një standardi të mjaftueshëm jetese, për të garantuar shëndet- dhe përfitime të tjera që janë, në fakt, deklarime kundër shtetit më shumë sesa liri nga ndërhyrjet e tij përtej kufirit.
Unë nuk them se këto përftime nuk janë të drejta; por edhe nëse ato janë të drejta, nuk mund të justifikohen në të njëjtën mënyrë si ë drejtat e garantuara më herët në Deklaratë. Për më tepër, ato i hapin derën “inflacionit të të drejtave”, që ne i kemi parë dekadat e fundit dhe një interpretimi të të drejtave njerëzore që është prodhuese konfliktesh. Kur e “drejta për një jetë familjare” e deklaruar nga Konventa Europiane e Të Drejtave të Njeriut, i jep mundësinë një krimineli që është gjithashtu edhe një emigrant ilegal, t’i shpëtojë deportimit; kur e drejta e një stili jete tradicional e një komuniteti të caktuar etnik, e deklaruar nga Gjykata Europiane e Të Drejtave të Njeriut, e ka bërë të zakonshëm instalimin e shtëpive të lëvizshme, duke sfiduar ligjin e urbanistikës, duke shkatërruar kështu vlerat e pronës e të gjithë atyre rrotull, kur Gjykata e Kolumbisë Britanike zbuloi një “të drejtë për të mos u ofenduar” të dhunuar nga përgjigja e një komediani ndaj një çifti lesbikesh që po putheshin haptas në radhën e parë të shfaqjes së tij; kur bankierët i quajnë bonuset e tyre skandaloze një “të drejtë njerëzore”; kur gjykatat janë të mbushura me këto apo me raste të ngjashme që vijnë nga shtatë në ditë në Britani dhe me koston e 2 miliardë eurove në vit, ne kemi të drejtë të pyesim nëse koncepti i të drejtave të njeriut është i themeluar në mënyrë të sigurt dhe nëse ka ndonjë argument të qëndrueshëm që do të na mundësonte ne të dallojmë të vërtetën nga e rrejshmja mes shumë në këtë mori. Pika e parë për t’u shënuar si përgjigje është se, siç Dworkin thotë “të drejtat janë trumbetime”. Kjo do të thotë se në një gjykatë,në qoftë se ti mund të tregosh se interesi yt në këtë çështje është gjithashtu i mbrojtur si një e drejtë, atëherë ti e fiton çështjen kundër interesit të kujtdo të pambrojtur si e drejtë, pavarësisht se sa i madh është ai. (Të drejtat sigurojnë “arsye përjashtuese” sipas mënyrës së besueshme të Raz-it). Pika e dytë e rëndësishme është se, ndryshe nga zgjidhjet që jep një legjislaturë, ato që jepen nga një gjykatë nuk janë kompromise: ato janë përpjekje për të pajtuar shumë interesa të përfshira në një situatë dhe gjykata nuk e sheh veten sikur po formulon një politikë për qeverisjen e mirë të një komuniteti- që është detyrë e legjislaturës, jo e gjykatës. Gjykata e sheh veten sikur po zgjidh një konflikt në favor të një prej pjesëve. Në rrethana normale, një mosmarrëveshje mbi të drejtat, është një lojë me shumën zero, në të cilën një parti fiton gjithçka dhe tjetra humb gjithçka. Nuk ka çmime ngushëllimi. Për më tepër, doktrina e precedentit bën të mundur që vendimi i gjykatës, të mbushë një vrimë në çdo legjislacion të ndërtuar për të zgjidhur çështjet e llojit që vijnë para tij. Dhe ky është një nga rreziqet e natyrshme në legjislacionin e “të drejtave të njeriut”- saktësisht, që ai i jep në dorë qytetarit të zakonshëm një mjet me të cilin edhe pjesa më vitale e politikave publike, mund të rrëzohet në favor të individit, pavarësisht interesit të përbashkët dhe të mirës së përbashkët.
Kësisoj terroristët në Britani kanë qenë të aftë hedhin poshtë përpjekjet për t’i përzënë ata, duke thënë se do të dhunohet kjo e “drejtë e njeriut” duke vepruar kështu. Pa një kriter që na mundëson të dallojmë të drejtat e vërteta të njeriut nga shumë pretendues, ne nuk do të jemi kurrë të sigurt, se klauzolat tona ligjore, sado të mençura, të mira dhe të përgjegjshme do të na sigurojnë ne ndaj dëshirës individuale për t’u ikur atyre. Pika e tretë e rëndësishme është se të drejtat e njeriut, të deklaruara pjesë të ndryshme të legjislacionit dhe nga vendime të ndryshme të gjykatave, nuk janë qartësisht të të njëjtit qëndrim filozofik, politik apo moral. Një doktrinë e të drejtave të njeriut, meriton këtë emër vetëm nëse të drejtat e deklaruara në të mund të vendosen apriori, me fjalë të tjera, si të drejta të justifikuara me një arsyetim filozofik më shumë dhe jo nga mënyra se si punon një sistem specifik i ligjit. Përpjekja për të bërë këtë, në rastin e të drejtave bazë, është ndërmarrë nga shumë autorë- nga Nozik nisur nga premisat kantiane; nga Finis nisur nga premisat Tomiste; dhe kështu me radhë. Unë mendoj se ne të gjithë mund të shohim forcën e idesë, se ka disa gjëra që nuk mund t’u bëhen qenieve njerëzore-disa të mira bazë, përfshirë jetën vetë, që nuk mund t’u merret vetëm në qoftë se ata në një lloj mënyre i humbin vetë ato. Jeta dhe liri të tjera bazë, për të ndjekur qëllimet tona të pashqetësuar (të përputhshme me liri të ngjashme të gëzuara nga të tjerët), janë kandidatë të besueshëm. Ju mund të shihni se si zotërimi i këtyre gjërave qëndron në zemër të bashkëpunimit politik: sepse pa disa garanci që, në këtë kuptim të paktën, njerëzit të jenë të mbrojtur nga sulmi, agresioni, nuk mund të ketë me të vërtetë një sistem ligji që gëzon pëlqimin e lirë të atyre që janë subjekt i tij. Për më tepër, ne mund t’i kuptojmë këto liri bazë si të drejta, pjesërisht sepse ne mund të kuptojmë detyrën e ndërsjelltë për t’i respektuar ato. E drejta ime për të jetuar është detyra jote për të mos më vrarë mua: dhe detyrat e mosndërhyrjes dhe mosveprimit, mbështeten natyrshëm nga moraliteti dhe mbrohen lehtë me ligj. Megjithatë, sapo dalim jashtë kësaj zone, ngushtësisht të vijëzuar, ne hyjmë në një territor me hije dhe mjaft të debatuar. Rasti në të cilin një park shtëpish të lëvizshme lejohet të shkatërrojë ambientin e një fshati, varet nga klauzola e “mosdiskriminimit”- një klauzolë që del jashtë zonës së lirive bazë, në atë të drejtësisë. Dhe gjëja tronditëse është se kjo klauzolë që ka për qëllim të parandalojë një grup qytetarësh nga të gëzuarit në mënyrë arbitrare të privilegjeve të mohuara të tjerëve, është përdorur saktësisht për të lejuar pakicën të gëzojë privilegje që i janë mohuar shumicës-pakica në këtë rast, janë ata që mund të deklarojnë se janë “udhëtarë”, të pajisur me të drejtë nga aparenca për t’u konsideruar si një “grup etnik”.
Pasoja paradoksalisht të ngjashme kanë lindur nga mbrojtja në Amerikë e ‘diskriminimit pozitiv’ me anë të të cilit synohet të zbatohen politika që u japin anëtarëve të disa grupeve të disavantazhuara, privilegje legale të ideuara “t’u rikthejnë” atyre pozicionin. Qëllimi origjinal pas përmendjes nga liberalizmi i të drejtave natyrore, ishte mbrojtja e individit nga pushteti arbitrar. Ju i keni të drejtat, sipas Locke dhe ndjekësve të tij, si një individ pavarësisht se kujt grupi apo klase i përkisni. Këto të drejta i detyrojnë njerëzit t’ju trajtojnë ju si qenie të lirë që ka sovranitet mbi jetën e saj dhe si një qenie që të njëjtën gjë e pohon në respekt të të tjerëve. Por idetë e reja të të drejtave njerëzore, lejojnë të drejtat e një grupi që ia mohojnë ato një tjetri: ju keni të drejta si anëtar i një pakice etnike apo klase sociale, të cilat nuk mund t’i kenë të gjithë qytetarët. Njerëzit tani mund të favorizohen apo të dënohen në terma të klasës, racës apo rangut dhe kjo bëhet në emër të vlerave liberale. Këto të drejta që formojnë substancën e deklaratave ndërkombëtare reflektojnë kësisoj një ndryshim të thellë në filozofinë liberale. Retorika e të drejtave ka ndryshuar nga liritë tek deklarimi mbi zotërimin e tyre dhe nga trajtimi i barabartë tek barazia e përfundimeve. Një e drejtë imponon një detyrë të përgjithshme mbi të tjerët për ta ruajtur atë; por ajo nuk mund të ngrihet nga një marrëdhënie specifike dhe mund të mos bëjë kërkesa specifike ndaj një individi. Ajo është një e drejtë që mund të pushtohet nga të tjerët; por duke mos bërë asgjë ata e respektojnë atë dhe detyra për ta vëzhguar atë nuk është as e rëndë dhe as ndonjë përgjegjësi e veçantë e ndonjë personi të veçantë. E tillë është e drejta ime për të lëvizur lirisht nga një vend në tjetrin, e drejta ime për jetën dhe pronën dhe të drejtat e tjera të pranuara tradicionalisht, me burim ligjin natyror. Ju i respektoni ato duke mos i sulmuar dhe detyra për t’i respektuar ato bie qartësisht dhe pa mëdyshje mbi gjithkënd. Nuk është ky rasti me të drejtat (deklarimet për zotërim të drejte), veçanërisht kur të drejtat janë për përfitime jospecifike, si: shëndeti, arsimi, një standard i caktuar jetese dhe kështu me radhë. Ka sigurisht të drejta elementare mbi moralitetin që imponojnë një detyrë individuale mbi ne.
Është e arsyeshme të pohohet se njeriu i sulmuar nga hajdutët, në parabolën e famshme të Krishtit kishte një të drejtë- një të drejtë morale- mbi ata që kalonin pranë tij dhe që vetëm njëri, Samaritani i Mirë ishte i përgatitur t’i përgjigjej. Por raste të tilla të moralit bazë imponojnë të drejta mbi secilin nga ne individualisht dhe shteti nuk mund të përgjigjet në emrin tonë. Si për deklarimet më specifike mbi të drejtat që njerëzit bëjnë ndaj njëri tjetrit- për dhembshuri, për ndarje të mirave, për kompensim – këto kërkojnë një histori, një të dhënë mbi marrëdhënien e veçantë midis atij që deklaron se ka të drejtë dhe atij ndaj të cilit ky deklarim bëhet, që do të justifikojë imponimin e kësaj të drejte si detyrë. Në mungesë të një historie të tillë, duke specifikuar se kush është i detyruar t’u përgjigjet atyre, deklarimet universale mbi të drejtën pashmangshmërisht çojnë te shteti si i vetmi që mund ta kryejë këtë gjë. Dhe deklarimet e gjera, të vagullta të të drejtave, kërkojnë një zgjerim masiv të pushtetit të shtetit, një dorëzim tek shteti të të gjitha përgjegjësive, të cilat më herët binin mbi individët dhe centralizim të jetës sociale në makinën e qeverisë. Me fjalë të tjera, deklarimet mbi zotërim të drejte, na shtyjnë pashmangshëm në një drejtim , për shumë njerëz, nuk është vetëm ekonomikisht shkatërrimtar, por moralisht i papranueshëm. Ai është një drejtim që i kundërvihet diametralisht asaj për të cilën ideja e të drejtave njerëzore u fut në fillim- një drejtim që përfshin rritjen dhe jo kufizimin e pushtetit të shtetit. Ka një arsye më të thellë mbi shqetësimin për zgjerimin e konceptit të të drejtave natyrore, në domenin e deklarimit të zotërimit të të drejtave.
Diskutime rreth kësaj post