Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama njoftoi sot se ka emëruar zotin Bledar Çuçi, në postin e ministrit të ri të Brendshëm, pas dorëheqjes së ministrit Sandër Lleshaj
Zoti Çuci, mban aktualisht drejtimin e ministrisë së Bujqësisë. Ai ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar, edhe në mandatin e parë të shumicës socialiste, si Ministër Shteti për Çështjet Vendore, duke udhëhequr Reformën administrative territoriale.
Zoti Çuçi bëhet emri i katërt që pritet të drejtojë ministrinë e Brendshme, në pak më shumë se 7 vjet qeverisje të së majtës. Pararendësi i tij, zoti Lleshaj dha dorëheqjen javën e shkuar, pas vrasjes nga ana e një punonjësi policie në Tiranë, të 25 vjeçarit Klodian Rrashaj, ngjarje e cila provokoi më pas dhe protesta të dhunshme në kryeqytet, e përplasje të forta me policinë.
Në krye të ministrisë së Bujqësisë, zoti Rama, ka emëruar deputeten Milva Konomi, e cila gjithashtu ka shërbyer më parë si ministre e Ekonomisë.
Duket se kryeministri ka bërë kujdes në përzgjedhjen e emrave të rinj, për të shmangur një përplasje të re me presidentin Ilir Meta, i cili dy vjet më parë refuzoi emërimin e kandidaturës së Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm, ndërsa polemika të shumta shoqëruan dhe dekretimin e zotit Lleshaj.VOA
Diskutime rreth kësaj post