Nga Edmond Tupja
Diskriminimi i një katego rie fjalësh shqipe ka kohë që është bërë një realitet i pamohueshëm në gojën e penën e bashkatdhetarëve të mi të dashur. Mjafton t’u hedhësh një sy të paanshëm, por të vëmendshëm, fjalorëve të gjuhës shqipe të botuar ndër vite që të bindesh për këtë. Po të mjaftohemi vetëm me “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), të botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më hollë- sisht nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë do të vërejmë, mes të tjerash, se termat dhe shprehjet me kuptim e kumbim të theksuar erotik–pasuri leksikore të shqipes, gjithsesi–, shkëlqejnë atje me mungesën e tyre kuptimplote.
Sigurisht, nuk kam fare ndër mend të paraqes këtu listën e gjatë të viktimave të këtij diskriminimi, por dua t’i kujtoj lexuesit se në të gjitha gjuhët e Europës ekzistojnë prej dekadash fjalë e shprehje të mirëfilltë erotike qoftë në fjalorë të përgjithshëm gjuhësorë, qoftë në fjalorë erotikë, ndërsa gjuha jonë amtare u pajis më në fund me një fjalor të tillë vetëm në vitin 2004, i cili, gjashtë vjet më vonë, u ribotua i pasuruar me fjalë e shprehje të tjera të të njëjtit shtresim.
Sot, pra, do të merrem me fjalën e diskriminuar “lesh”, të cilën “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) e përkufizon si “tërë- sia e qimeve që mbulojnë lëkurën e bagë- tive të imëta, të deveve etj.; filli që bëhet prej tyre; qimet në trupin e njeriut a të majmunit (…)”. Pas këtij përkufizimi të ilustruar me mjaft shembuj të moralshëm, lexuesit të ndershëm i bien në sy disa shprehje me togfjalëshin “leshtë e kokës”, a thua se njeriu ka lesh vetëm në kokë dhe jo në ndonjë pjesë tjetër të trupit; gjithsesi, erotizmi i fjalës “lesh” e nxjerr kokën, në mënyrë të pavetëdijshme, pavarësisht autocensurës së shtatë autorëve të Fjalorit në fjalë, te disa shembuj si “ftua (pjeshkë) me lesh, krimb me lesh” dhe, sidomos, “la leshin në vrimë”), ku fjalët “pjeshkë”, “krimb” e “vrimë” nuk ka nevojë t’i analizosh për t’i kujtuar lexueses e lexuesit përdorimin e tyre në kuptimin erotik nga të rejat dhe të rinjtë e sotëm.
Ah, sa e lehtësuar do të merrte frymë fjala “lesh” sikur nesër, në një fjalor të një lloji tjetër, krejt të çliruar nga paragjykimet, më fantazist, me humor të këndshëm, kuptimet e fjalës “lesh” të ilustroheshin artistikisht duke e përmendur atë, leshin, pa pikë diskriminimi, si pjesë të trupit të njeriut jo vetëm në përgjithësi, por edhe konkretisht si, për shembull, kryetar parlamenti, partie, qeverie, bashkie, gjykate, prokurorie, Lesh! vijon nga faqja 1 akademie, shoqate, institucioni kulturor, shkencor, laik, fetar etj., etj.
Për hir të së vërtetës (qoftë ajo e ashpër si leshtë e kokës së qethur zero apo e butë si leshtë kaçurrel të baqthit), më duhet të pranoj se këtë ide ma dha një rom, i cili, para ca ditësh, po zhbllokonte një puset të ujërave të zeza te hyrja e një pallati në Bërrakën time historike, fare pranë qendrës së kryeqytetit.
Pyetjes sime se në ç’periudhë të vitit kishte më shumë punë, në verë apo në dimër, ai iu përgjigj pa më të voglin ngurrim e duke më vështruar drejt e në sy, por me një buzëqeshje çapkëne në cep të buzëve: “N’ver’, o presor, ta pret menia, se gratë e gocat e gaxhojve me pozit’ i bllokojn’ pusetat se hedhin atje lesht’ e sqetllave e t’barkut ngaqi shkojn’ n’plazh me bo pushime e dun t’duken seksi”.
Nga ana tjetër, më vjen keq që në Fjalorin e gjuhës shqipe (Tiranë, 2006) shprehja “më zuri goja lesh” nuk figuron te fjala “lesh”, por te fjala “gojë”, veçse pa iu dhënë kuptimi, duke e dërguar lexuesin te fjala “gjuhë”, ndërkohë që kjo shprehje përdoret dendur sidomos kur tjetrit ose tjetrës porosia ose detyra që i japim i hyn nga njëri vesh dhe i del nga tjetri (veçanërisht kur i del jo vetëm nga veshi tjetër, por edhe nga tërë vrimat e tjera të trupit!) Duke iu shmangur kështu erotizmit të drejtpërdrejtë të fjalës “lesh”, autorët e fjalorit të lartpërmendur harrojnë që edhe fjalët “gojë” e “gjuhë” kanë funksion e kumbim erotik, prandaj kur ta përfshijnë shprehjen “më zuri goja lesh”, në botimin e ardhshëm, pikërisht te fjala “lesh”, i siguroj se do ta bëjnë atë më zbavitëse duke e pasuruar si vijon: “Më zuri goja lesh, pambuk e mëndafsh…”
Së fundi, por jo më së paku, më vjen shumë keq që, në të njëjtin fjalor, mungon shprehja mohuese “Lesh!” me vlerë pasthirrmore te del nga shpirti i shqiptares e i shqiptarit dhe që përdoret përherë e më dendur nga bashkatdhetarët e mi, disa nga të cilët e përforcojnë atë duke e pasuruar si vijon: “Lesh me qime!” Ç’kënaqësi ta përdorësh këtë shprehje duke i mëshuar tingujve “sh” e “q”, çka të bën të ndihesh si i/ e depiluar, si i/e lehtësuar nga barra vrastare e kësaj vere të përvëluar!
Diskutime rreth kësaj post