Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duket se po jep sinjale për tu ulur në një tryezë me kryeministrin Edi Rama. 5 aleatët e PD do të zhvillojnë sot një takim me presidentin Ilir Meta, ku do i kërkojnë që të thërras një tryezë për të zgjidhur krizën politike. Edhe pse u duk sikur aleatët po distancoheshin nga PD, duket se ata gëzojnë dhe mbështetjen e Lulzim Bashës, çka do të thotë se e mbështet idenë e një tryeze politike. Këtë gjë e bëri të qartë vetë kreu demokrat, i cili në një deklaratë për media u shpreh se është në unison me partitë e vogla që janë aleate të krahut të djathtë. Basha u shpreh se koalicioni opozitar po vepron me bashkëpunim dhe se sipas tij nuk ka asnjë mospërputhjes mes qëndrimeve të PD dhe koalicionit. “Nuk ka asnjë mospërputhje mes qëndrimeve të PD dhe të gjithë koalicionit tonë. E kemi diskutuar edhe me aleatët tanë dhe një pjesë e mirë që aleatët tanë kanë shpalosur sot janë edhe pikat e programit tonë. Pra, ka një përputhje totale, ndaj të jeni të sigurt që koalicioni opozitar po vepron me bashkëpunim, me mirëkuptim dhe sinergji të plotë për të ecur përpara. Çështjet e tjera janë detaje të parëndësishme, kryesorja është kjo: zotimi i gjithë koalicionit opozitar, që është sot mazhoranca e re politike, numerike dhe morale në vend, është regjistrimi në zgjedhje dhe pjesëmarrja në zgjedhje vetëm kur të ketë më të vërtetë zgjedhje dhe jo një tjetër farsë kriminale. Kushti i padiskutueshëm, padyshim, mbetet largimi i Edi Ramës nga qeveria dhe një qeveri tranzitore që do të plotësojë kushtet, për të cilat do të keni më shumë informacion në ditët në vijim”, tha Basha.
Reagon Balla
Pas deklaratave të kreut demokrat Lulzim Basha se ishte i gatshëm të ulet në dialog me kryeministri Rama, ka reaguar kreu i grupit parlamentar PS Taulant Balla. Gjatë një takimi me strukturat e PS në qytetin e Pogradecit, ai u shpreh se mazhoranca ka qenë gjithmonë e gatshme për dialog, duke deklaruar i prerë se zgjedhjet vendore do të mbahen në 30 qershor. Balla tha se dialogu me opozitën do të ketë në fokus reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi, por jo diskutim për qeveri teknike, zgjedhje të parakohshme apo shtyrje të datës së zgjedhjeve vendore. “Në kursin e dhunës dhe moskompromisit që opozita ka zgjedhur të ndjekë, Luli po përpiqet të bllokojë së bashku me Reformën në Drejtësi, edhe zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor. Kjo nuk do të ndodhë. Kur do të zhvillohen zgjedhjet nuk e përcakton Partia Socialiste apo Partia Demokratike, por Kushtetuta e Republikës. Partia Socialiste ka qenë e gatshme dhe ka ofruar të gjitha kushtet për dialog. Ne i kemi lënë dorë të lirë opozitës që të propozojë çfarë të dëshirojë sa i takon reformës zgjedhore, e ne jemi të gatshëm ta votojmë çdo gjë që merr dhe aprovimin OSBE. Përballë rrugës së zgjedhur nga opozita, përgjegjësia e vetme e Partisë Socialiste është që të ofrojë standardet më të mira ndonjëherë dhe transparencën më të lartë për këto zgjedhje lokale. Kjo do të ndodhë medoemos”, deklaroi ai. Balla u shpreh se mazhoranca do të garoj në zgjedhjet e 30 qershorit me partitë e vogla, numri i të cilave është 42. “Në këto zgjedhje, janë regjistruar deri më tani 42 parti, si dhe 6 kandidatë të pavarur. Edhe vendet e lëna bosh në Parlament po plotësohen thuajse të gjitha. Kjo tregon se bojkoti nuk është vullnet i të gjithë opozitës, por vetëm i disa liderëve politikë që ndihen të kërcënuar nga zgjedhjet e ardhshme dhe zbatimi i reformës në drejtësi”, u shpreh Balla.
Diskutime rreth kësaj post