Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi do të kenë tashmë mundësi të sigurojnë leje të jashtëzakonshme.
Bëhet fjalë për emigrantët që kanë vite në Greqi por që për mungesë dokumentash apo arsye të tjera, kanë humbur të drejtën e rinovimit të lejes së qëndrimit, sipas procedurës normale, por plotësojnë kriterin bazë të qëndrimit të vazhdueshëm 7-vjeçar në vend.
Organizata “Përkrahje” (Arogi) në Greqi ka ngritur dy çështje themelore për të siguruar ecurinë e procesit të legalizimit të emigrantëve.
Me ligjin e fundit, lejet për arsye të jashtëzakonshme u transformuan nga dy në tre-vjeçare por duke qenë se mungon informimi, kategoritë e këtyre lejeve është e pamundur të plotësohen nga nëpunësit, e si rrjedhim të lëshohen.
Gjithashtu emigrantët shqiptarë që kanë aktivitet privat, të cilët tashmë pajisen me leje qëndrimi biometrike kanë pengesa serioze për çdo transaksion.
Kjo pasi gjatë ndryshimit të të dhënave personale, veçanërisht të pasaportës, organi kopetent i Shërbimit Financiar Publik nuk është në gjendje të verifikojë lejen e qëndrimit të rivendosur në pasaportën e re.
Organizata bën thirrje që të dëgjohet, e problemet e paraqitura do të zgjidhen së shpejti, duke u ardhur në ndihmë sa emigrantëve, aq edhe nëpunësve në këtë sektor, që përballen me radhë të gjata e probleme të larmishme sa teknike aq dhe humane, bën me dije gazetarja Ira Londo.
Diskutime rreth kësaj post