Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar mbrëmjen e sotme se vendimi për të përjashtuar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD, nuk cënon aspak kontributin dhe arritjet e tij si lider historik i kësaj partie. Në një deklaratë për mediet kryedemokrati tha se ky ishte vendimi më i vështirë që ka marrë.
Deklarata e Bashës:
“Rrugëtimi i Sali Berishës në politikë nuk ndahet dot nga rrugëtimi i PD dhe suksese të saj në qeverisjen e vendit dhe mbrojtjen e interesit publik. Këtë e ka të qartë çdo anëtar i PD dhe kushdo. Ky vendim nuk cënon aspak arritjet e liderit historik të PD dhe si president dhe kryeministër i Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Nuk cënon aspak atë që përfaqëson Berisha në historinë e PD. Ky vendim i sotëm aspak i lehtë për mua, ka udhërrëfyes interesin e demokratëve dhe interesin qytetar.
Ju më keni besuar drejtimin e PD për të marrë edhe vendime që lëkundin emocionet tona. Secili prej nesh ka detyrimin për të sakrifikuar nga vetja për interesin e PD, për interesin e demokratëve dhe për interesat e qytetarëve shqiptarë. Vetëm në këtë mënyrë ne justifikojmë besimin e madh ndër vite nga demokratët dhe besimin që shqiptarët kanë tek PD si e vetmja alternativë qeverisëse që do të bëjë realitet ndryshimin real për shqiptarët dhe aspiratën e tyre për Shqipërinë si gjithë Europa”, u shpreh Basha.
Diskutime rreth kësaj post