Nga Deutche Welle
Ballkani Perëndimor konsiderohet rajon problematik i Europës. Katër vende nga ky rajon duan të angazhohen për paqen dhe për një pranim të shpejtë të Serbisë në BE. Ato duan edhe të bashkëpunojnë më ngushtë ekonomikisht.
“Ne kemi rënë dakord, që Ballkani të bëhet një shembull i mirë në Europë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin”, tha kryeministri bullgar Boiko Borisov, pas takimit me homologët e tij nga Rumania, Greqia dhe Serbia në Varna të Bullgarisë. Ai theksoi, se synohet bashkëpunim më i ngushtë veçanërisht sa u përket çështjeve ekonomike dhe projekteve të infrastrukturës. Prania e presidentit të Serbisë Vuçiq tregon, “se ne të gjithë këmbëngulim dhe e dimë, që vendi i natyrshëm i Serbisë është në BE”, tha Borisov.
Takimi në Varna është pjesë e përgatitjeve që po bën Bullgaria për kryesimin e presidencës së BE-së në gjysmën e parë të vitit 2018. Deri tani Bullgaria politikisht nuk ka rënë në sy thuajse fare në BE. Ajo as nuk është pjesë e Eurozonës dhe as e hapësirës Shengen, ku janë hequr kontrollet kufitare. Por këtej e tutje kjo do të ndryshojë: “Sofia do të tregojë më shumë relevancë në Bruksel dhe përpiqet ta arrijë këtë përmes kësaj iniciative. Ajo synon të theksojë dhe të çojë përpara perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thotë politologu bullgar Daniel Stefanov. Borisov do të profilizohet si nxitës i paqes dhe i orientuar nga e ardhmja e po ashtu do të sjellë lajme të mira në Bruksel nga Ballkani.
Roli i rëndësishëm i Serbisë
Një rol qendror në këtë drejtim duhet të luajë mbështetja për Serbinë në bisedimet që po vazhdojnë për antarësimin në BE. Vendi i natyrshëm i Serbisë është në BE, tha Borisov dhe theksoi, se përshpejtimi i procesit të antarësimit do tëjetë i dobishëm për sigurinë dhe paqen në Ballkan e për të gjithë Europën.
Serbia është që nga viti 2014 vend kandidat për antarësim në BE dhe që ai vit po zhvillohen edhe bisedimet e antarësimit. Megjithatë së fundi Parlamenti i BE-së konstatoi deficite të mëdha në fushat e drejtësisë, medieve dhe shtetit ligjor. Ndaj kjo nismë bullgare është shumë e rëndësishme për presidentin serb Vuçiq, thotë Aleksandra Joksimoviq nga Qendra e Beogradit për Politikën e Jashtme. “Ai do të tregojë, që Serbia, si vend qendror në Ballkanin Perëndimor, mund të bashkëpunojë me të gjithë kandidatët e tjerë për në BE – si edhe me vendet që janë ndërkohë në BE”, thotë Joksimoviç.
Por kjo nuk është e vetëkuptueshme, sepse marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën shihen si problem. Brukseli ka bërë të qartë, që raportet e mira fqinjësore me Prishtinën janë kusht për antarësimin në BE. Beogradi ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Edhe në Bosnje-Hercegovinë Serbia nuk luan gjithmonë rol konstruktiv.
Një detyrë europiane
Veç kësaj rajoni i Ballkanit Perëndimor konsiderohet gjithsesi si i paqendrueshëm dhe me potencial konfliktesh. Tensionet etnike në Bosnje-Hercegovinë, mosrespektimi i të drejtave të minoriteteve, apo grindja për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë, janë vetëm dis prej problemeve me potencial të rrezikshëm konflikti si për rajonin edhe për mbarë Europën.
Ndaj nuk është habi fakti, që stabilizimi i rajonit dhe zhvillimi ekonomik i tij, janë në krye të agjendës së prioriteteve të politikës së jashtme të BE-së. Më 2014 Gjermania ndërmori nismën e ashtuquajtur Procesii Berlinit, për t’i forcuar reciprokisht vendet e Ballaknit Perëndimor që të bashkëpunojnë në projekte infrastrukture dhe për të lehtësuar afrimin në BE. Kanë pasur në këtë kuadër një sërë takimesh të niveleve të larta e konferencash si së fundi në Trieste, apo edhe takimi i së enjtes (05.10.) në Selanik me ministrave të Jashtëm të Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë. Sofja do ta vazdhojë këtë seri takimesh e ka deklaruar, se do të organizojë gjatë presidencës në BE edhe një samit në Bullgari, ku të trajtohet e ardhmja e Ballkanit Perëndimor.
Diskutime rreth kësaj post