Haxhi Aliko, një pedagog dhe personalitet i Shkencave Veterinare në Shqipëri, është ndarë nga jeta pasditen e së mërkurës, shkruan newsbomb.al. Ai ka pasur një karrierë të spikatur si në fushën akademike ashtu dhe në atë politike.
Jeta e profesor Alikos ishte e lidhur ngushtë me Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, në të cilin u shkollua dhe zhvilloi një karrierë akademike 35-vjeçare, duke e filluar si asistent lektor dhe duke vijuar si titullar i lëndës “Fiziologjia e Kafshëve Bujqësore”, përgjegjës i Katedrës “Fiziologji-Biokimi” për 16 vjet dhe deri në Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës për 4 vjet.
Po ashtu, profesor Haxhi Aliko është angazhuar dhe në politikë, ku është zgjedhur deputet e më pas ministër i Bujqësisë, shkruan newsbomb.al. Këtë post të fundit ai e ka mbajtur në vitin 1997, në qeverinë e Bashkim Finos.
“Angazhimi i tij më pas në politikë si Deputet dhe Ministër i Bujqësisë, i dha një dimension të ri dhe me peshë, profilit të këtij personaliteti të shquar. Kam patur fatin të isha student i tij, i frymëzuar nga formimi, stili i tij i veçantë pedagogjik, mënyra e komunikimit dhe elokuenca e pashembullt”, shkruan Panariti.
“Si pedagog, Haxhi Aliko ka qenë kompetent i padiskutueshëm në lëndën e fiziologjisë dhe njëherësh tepër metodik e serioz në raport me studentët. Njohuritë e thella, qetësia dhe elokuenca në përçimin e njohurive si dhe formimi i tij kulturor universal, ishin tiparet dalluese që i dhanë atij statusin e një profesori autoritar në mjedisin universitar.
Edhe sot e kësaj dite, gjenerata të shumta të studentëve i kujtojnë me nostalgji leksionet e mrekullueshme të Prof. Alikos. Prof. Haxhi Aliko ka shumë vlerësime, tituj e dekorime në jetën e tij dhe është një nga personalitetet me gjurmë të pashlyera në historinë e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare”, njofton Mjekësia Veterinare Shqiptare.
Diskutime rreth kësaj post