I dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha të hënën herët se do të përqendrohet ditëve në vijim për të gjetur një rrugë përpara në dialog, pas sulmit më armë ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën të dielën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Në një shkrim në llogarinë e vet në Facebook pak pas mesnatës, Lajçak tha se mbeti i tronditur nga sulmi ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.
“Akte të tilla të dhunës janë thellësisht shqetësuese dhe janë kundër parimeve të paqes dhe bashkëpunimit”, tha ai.
Ai tha se ky sulm e thekson edhe më shumë nevojën për dialog dhe diplomaci parandaluese “e cila u nënvizua gjatë javës së kaluar kur mora pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork”.
“Për të gjetur një rrugë përpara në rajon dhe në veçanti në dialog, unë kisha bisedime strategjike me partnerët tanë amerikanë”, shtoi ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan më 14 shtator në Bruksel për një nivel të lart bisedimesh në dialogun e ndërmjetuar nga Bashkimi Evropian, por nuk arritën asnjë pajim për normalizimin e marrëdhënieve.
Kurti e akuzoi Lajçakun se u pozicionua kundër Kosovës në takimin mes palëve.
Autoritetet kosovare thanë të dielën se rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra gjatë sulmit. Sipas tyre, sulmuesit e armatosur, rreth 30 syresh, ishin vendosur në manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan.
Sipas Sveçlës, autoritetet konfiskuan edhe një sasi të madhe armatimi.
Kosova e bëri përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.
Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta prej majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve që vetë i kanë bojkotuar.
Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.
Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet për hapat e mëtejmë dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës./rel
Diskutime rreth kësaj post