Nga Ben Andoni
Etika përmbledh principet morale, që drejtojnë sjelljen e një individi apo shoqërie. Kurse standardet e larta profesionale-legjislative dhe etike të parlamentarëve janë parakushte të rëndësishme që orientojnë besimin e publikut në punën e parlamentit në përgjithësi dhe në integritetin e vërtetë të atyre që na përfaqësojnë.
Kjo është teorikisht sepse është turp të shikosh përbërjen, produktin dhe mënyrën e zhvillimit të punës në parlamentin shqiptar të legjislaturave të fundit. Sistemi zgjedhor, që i lë kreut të partisë të zgjedhë listën përfaqësuese ka sjellë një pështjellim dhe shpërfilljen e hapur të Kodit Etik. Kodi, për të cilin u fillua punë prej propozimit të OSBE-së në vitin 2015, mëtonte të ishte një dokument i rëndësishëm referimi për publikun, mediat apo organizatat jofitimprurëse, këto të fundit që edhe do mbikëqyrnin dhe informonin në të njëjtën kohë edhe publikun për jetën parlamentare dhe politike në vend. Ai do të rregullonte të gjithë punën e parlamentit, por edhe do të ndikonte në cilësinë e produktit të tij. Një gjë e cila jo thjesht nuk vërehet, por lë shumë për të dëshiruar. Fjalimet e deputetëve shqiptarë mund të jenë shembull i nivelit mediokër por edhe pasqyrë e përmbajtjes boshe të tyre, përfshi dhe të shumtët që u përgatiten fjalimet dhe nuk dinë t’i lexojnë.
“Deputetit i ndalohet të paraqitet në gjendje të mungesës ose të uljes së ndjeshme të ekuilibrit fizik dhe/ mendor për shkak të konsumimit të alkoolit ose të substancave narkotike”, thuhet veç të tjerave në dokumentin e fundit për përgatitjet e Kodit të Ri, që në fakt këtij parlamenti të paedukatë nuk i duhet asfare…Pasi, në të vërtetë, shumë nga deputetët shqiptarë nuk janë të pirë, por krejt të shpërfytyruar nga protagonizmi bosh para Ekranit.
E pse duhet vallë Kodi në Parlament? Duhet, sepse ende besohet që gjithnjë publiku të ketë besim në punën e parlamentit. Duhet po ashtu të shmanget çdo keqkuptim dhe t’i bëhet fanar deputetëve për interesat e tyre profesionale dhe atyre të jetës së tyre publike. Duhet, mbi të gjitha, që njerëzit të binden se politikanët e tyre po përmbushin një standard të kujdesit në kryerjen e punës parlamentare.
Të gjitha këto janë në letër, sepse në realitet janë ata. Janë gati dy grupime që shpesh kthehen në banda, të drejtuara nga liderët e tyre për t’u kacafytur keqazi. Shqipëria parlamentare sot është Shqipëria e deputetëve që tregojnë armët, që shajnë e ofendojnë gjithkënd dhe nuk i hyn gjemb në këmbë, që marrin nëpërkëmbë grupe të margjinalizuara me kryetarë që ofendojnë dhe bëjnë bejte me fallusin, njerëz që të godasin me gjithçka, pa ndryshim gjinie. Në këtë parlament ka pasur deputet të plagosur, të grushtuar rëndom dhe lapërdhi të patreguara, një vend ku emrat e organeve gjenitale përdoren lehtësisht dhe një vend bejtesh.
Ky i fundit parlament i ka vend kapakun mendimit popullor se ai nuk e përfaqëson Shqipërinë, por mejhanet e saj, pasi realisht të zgjedhurit e dy-tre njerëzve nuk mund të përfaqësojnë qindra mijëra shqiptarët votues, që nuk dallohen qoftë nga kultura, morali dhe kodi i etikës me këta të pacipë, që kanë dhe mbahen me mandatin e deputetit shqiptar.
Diskutime rreth kësaj post