Banorët e Havait po i drejtohen praktikave tradicionale për të mësuar më shumë mbi përballimin e pasojave të ndryshimeve klimatike. Ata po kërkojnë frymëzim nga e kaluara për të arritur qëndrueshmëri në të ardhmen.
Rritja e nivelit të oqeanit po shkakton erozion, duke kërcënuar shtëpitë në vijën bregdetare të Havait.
Sipas një studimi, Oahu, ishulli kryesor i shtetit, mund të humbasë 40 për qind të plazheve të tij nga erozioni deri në vitin 2050, duke dëmtuar turizmin, burimi kryesor i të ardhurave për ishujt e këtij shteti amerikan.
Një problem tjetër janë temperaturat e larta, që po shkaktojnë reshje të parregullta shiu në disa zona dhe thatësira në zona të tjera.
“Reshjet në disa zona mesatarisht po rriten me kalimin e kohës. Në disa zona të tjera ka rënie të nivelit të reshjeve. Në ishullin e Havait, ishulli më i madh i shtetit me të njëjtin emër, ne në fakt kemi parë një rritje të thatësirave”, – thotë Victoria Keener, studiuese e Qendrës Lindje-Perëndim.
Me një mot më pak të qëndrueshëm, ishujt e Havait po përballen me stuhi dhe përmbytje më të rënda, si ato të muajit mars në ishullin e Mauit. Ka edhe pasoja të tjera.
“Ndryshimi i klimës po ndikon puset pranë bregdetit, bujqësinë dhe infrastrukturën”, – thotë studiuesja Victoria Keenner.
Honolulu, një qendër urbane moderne, ka betonuar disa rrugë ujore për të kontrolluar përmbytjet, duke bllokuar ujëmbledhësit natyrorë që dikur lidhnin malet, moçalet dhe bregdetin në një ekosistem të vetëm.
Banorët autoktonë të Havajit e quajnë këtë ahupua’a.
“Ahupua’a është një sistem që është përdorur nga banorët autoktonë të Havait për menaxhimin e burimeve natyrore nga kreshta deri tek koralet”, – thotë Celeste Connors nga organizata Rritja e Gjelbër e Havait.
Havai tani importon pjesën më të madhe të ushqimit.
Por, po bëhen përpjekje për të rinovuar metodat tradicionale të bujqësisë dhe mbrojtjes së mjedisit, si ato në bregun lindor të Oahut.
Nick Reppun punon për një organizatë jofitimprurëse që kultivon ushqimet kryesore tradicionale si taro dhe po e kthen këtë zonë fushore në gjendjen e saj natyrore. Grupe të tjera po riparojnë ujëmbledhësit malor, dhe një pellg ku banorët autoktonë të Havait dikur kultivonin peshkun.
“Ne thjesht po përpiqemi të bëjmë atë që e dimë se është bërë dhe që ka funksionuar më parë. Ne nuk po i shpikim nga e para këto sisteme. Ne thjesht po përpiqemi t’i ringjallim ato”, – thotë Nick Reppun, drejtor i fermës “K?ko’o ‘wiwi”
Alapaki Luke, mësues i gjuhës dhe kulturës së Havait, thotë se metoda e kontrollimit të erozionit përmes mbjelljes së zonave të rrezikuara me bimë të llojit taro, është kuptuar mirë nga banorët autoktonë. Kjo dituri tradicionale është e rëndësishme, thotë ai.
“Unë nuk them se duhet të kthehemi 400 apo 500 vjet mbrapa, por ne mund të përdorim bazën e asaj që ne e quajmë “kahua e ‘ike”, traditën autoktone, në një mjedis modern.”
Alapaki Luke thotë se ne ende mund të mësojmë shumë nga praktikat tradicionale që dikur përdoreshin për të mbështetur jetën e qindra mijëra njerëzve në këta ishuj.
Diskutime rreth kësaj post