Avokati Spartak Ngjela shprehet i bindur se SPAK duhet të nisë hetimet ndaj ish-kryeministri Sali Berisha, pasi u fut në “listën e zezë” të SHBA-së.
Ngjela tha se Departamenti Amerikan i Shtetit ka në dorë prova që tregojnë korrupsionin e Berishës.
“Nuk mund të hamendësoj, ata do të paraqesin provat. Ne sot duhet të diskutojmë juridikisht: DASH nuk është një organizëm rural, siç flet Saliu, as siç flasin këta që i dëgjoj unë poshtë e përpjetë për të mbrojtur Saliun, por që e rëndojnë më shumë. Si e drejton Edi Rama politikën amerikane? Ata që e thonë, nuk e besojnë. Duan t’i mbajnë të angazhuar. Si lexohet kjo juridikisht? DASH nuk ka thënë vetëm që unë të kam hequr të drejtën për të hyrë, por kam thënë edhe arsyet. Arsyet nuk i thotë Komuna e Laçit, i thotë superfuqia botërore. Akuzat e hedhura si të provuara nga DASH, janë subjekt për të filluar çështjen penale nga SPAK. DASH nuk e akuzon se ka bërë korrupsion në Amerikë. Një akuzë që vjen së jashtmi, hap çështjen penale në Shqipëri. E vërteton apo jo prokuroria shqiptare, kjo është diçka tjetër. E ka të detyruar të hapë proces penal. Kur, si dhe sa, ne nuk i dimë këto. Sipas disa burimeve joserioze, thuhet se SPAK ka kërkuar materialet nga DASH. Ka mundësi të jetë e vërtetë.”, – tha avokati.
Ngjela u shpreh se gabimi që “fundosi” Berishën është korrupsioni gjatë kohës që ishte kryeministër.
“Do të ketë vazhdimësi, nuk është vetëm Berisha. Ky është i pari, por nga kryesorët. Korrupsioni e ndëshkoi Berishën kur ishte kryeministër, ky është gabimi i tij.”, – tha Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post