Kuvendi votoi të martën dekretin e Presidentit të Republikës për shkarkimin e Fatmir Xhafajt nga posti i Ministrit të Brendshëm. “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditësh nga Kuvendi. Propozohet nga kryeministri dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës nga posti i Ministrit të Brendshëm Z. Fatmir Xhafaj”, tha Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Dekreti i Presidentit u votua me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Më 27 Tetor, kreu i qeverisë Edi Rama njoftoi dorëheqjen e Fatmir Xhafajt nga posti i Ministrit të Brendshëm dhe emërimin në vend të tij të Gjeneral Sandër Lleshit.
Por, pas mosdekretimit të Lleshit në postin e Ministrit nga ana e Presidentit Meta, Rama tha të martën në Kuvend se “Gjeneral Sandër Lleshi nga sot do të drejtojë Punët e Brendshme të Shqipërisë”. I bindur se ai nuk do të zhgënjejë askënd, Rama tha se zv.ministri Lleshi, i cili do të drejtojë me kompetencat e ministrit, “është njeriu i duhur që vjen në kohën e duhur, në vendin e duhur.” /tvklan.
Diskutime rreth kësaj post