Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e Shoqatës së Bashkive për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019.
Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ka kritikuar vendimin e Kushtetueses duke e cilësuar një vendim të paqartë. Teksa thekson se zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin të tilla, Ademi kërkon një arsyetim të plotë nga ana e gjykatës.
“Është akoma e paqartë nëse bëhet fjalë për një vendim për arsye proceduriale, të njohjes së legjitimitetit të Kushtetueses, apo jo nëse e ka tagër apo jo. Ajo që presim është që të kemi arsyetimin e plotë. Kjo do të ndihmonte për të kuptuar vendimmarrjen, për të arritur një interpretim për të kuptuar vendimin. Është një çështje me interes të madh publik. Është hera e parë që ndodh dhe kjo është e paprecedentë dhe do të ndihmonte që partitë politike, institucionet, qytetarët, për të ndërtuar mbi gabimet që janë bërë në ato zgjedhje. Çfarë zgjedhje ishin, në vetëdijen tonë e dimë se ato nuk ishin zgjedhje. Kushtetuesja kishte mundësinë që të verifikonte këtë ‘pse’-në”, tha Ademi.
Sa i përket një rikandidimi të mundshëm për kreun e Bashkisë së Shkodrës, Ademi i la mundësitë e hapura duke theksuar se është e angazhuar për të mbështetur dhe punuar për bashkinë.
“Vendimi i gjykatës nuk ka ndihmuar për qartësinë e institucioneve dhe kur bëhet fjalë për kryetarët apo drejtuesit e bashkive në të gjithë Shqipërinë. Duke mos ndihmuar situata e këtyre bashkive që nuk kanë kryetarë e bën të paqartë vijueshmërinë që do të kenë institucionet që të kenë kryetar të zgjedhur. Këtë duhet ta thonë institucionet, dhe situata është e pazakontë dhe nuk përcaktohet. Nuk do të hyjë më thellë, por nëse do të kemi zgjedhje nesër unë jam e angazhuar për të vijuar dhe për të mbështetur dhe punuar për Bashkinë e Shkodër, në një kontekst tjetër, që mund të jetë edhe familjar, qytetar, në varësi të një situate, pse jo dhe të një konflikti politik. Bashkia Shkodër është një institucion i rëndësishëm dhe angazhimi im nuk do të mungojë”, u shpreh Ademi.
Diskutime rreth kësaj post