Dy persona kanë mbetur të plagosur pasditen e së mërkurës në repartin Ushtarak të Porto Romano në Durrës. Dy të lënduarit e kësaj ngjarja janë jashtë rrezikut për jetën. Shkak ka qënë shpërthimi i një kapsolleje dhe personat kanë pësuar plagë në duar dhe këmbë. Policia bëri të ditur se një prej të plagosurve është rreshter në Forcën Ajrore ndërsa tjetri është një punonjës civil i agjencisë së trafikut ajror, Albcontrol.
Policia Ushtarake dhe ajo e Shtetit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për të bërë verifikimet e nevojshme për nxjerrjen e shkaqeve të shpërthimit. Por në njoftimin e saj Policia e Shtetit jep detaje dhe të dhëna krejt ndryshe nga sa më sipër.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
Më datë 22.03.2017, ora 14:15, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës kanë shkuar për të marrë mjekim shtetasit E. K. 37 vjeç, banues në Tiranë dhe V.Sh. 46 vjeç, banues në Durrës, roje (civilë dhe jo ushtarakë) tek Reparti Ushtarak, në Porto- Romano, Durrës.
Shtetasit e mësipërm kanë korrur barin brenda territorit të Repartit Ushtarak dhe më pas i kanë vënë zjarrin për të djegur sasinë e barit të korrur.
Në djegie e sipër të barit të korrur ka ndodhur një shpërthim (nuk dihet çfarë ka shpërthyer) dhe për pasojë janë dëmtuar shtetasit e lartpërmendur.
Meqenëse ngjarja ka ndodhur brenda territorit të Repartit Ushtarak njoftojmë se veprimet e mëtejshme do të kryhen nga grupi hetimor i Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Diskutime rreth kësaj post