Nga Mero Baze
Gjykata Kushtetuese ka nisur pa zhurmë dhe thuajse në fshehtësi, një seancë për shqyrtimin e kërkesës së dy shoqatave të gjyqtarëve në Shqipëri, e cila në thelb kërkon tjetërsimin e ligjit të Veting-ut dhe zhveshjen e tij nga përmbajtja, duke transformuar procesin, procedurat dhe thelbin e këtij ligji.
Kërkesa e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, duket se është e koordinuar me vetë Gjykatën Kushtetuese dhe ndoshta dhe me faktorë politik në vend, për disa arsye.
Së pari, kërkesa është bërë një javë pas marrëveshjes politike PS-PD, dhe disa ditë pas ngritjes së Komisionit të përkohshëm parlamentar për zbatimin e tij, çka të bën të dyshosh se është vepruar nën panikun e një marrëveshje, e cila po çonte drejt zbatimit të ligjit të Veting-ut.
Së dyti, kërkesa është mbajtur sekret dhe është mësuar vetëm dje, kur kërkesa ka mbërritur në Kuvend nga Gjykata Kushtetuese, ku caktohet 22 qershori, si seancë ku Kuvendi si palë e paditur, duhet të mbrojë ligjin e ankimuar. Gjykata Kushtetuese ka shmangur praktikën e konsultimit publik për këtë ligj dhe mbi të gjitha, ka shmangur parimin e opininoit të Komisionit të Venecias, me të cilin ka trajtuar dhe më parë, çdo ankesë ndaj reformës në drejtësi.
Kur është ankuar PD dhe Unioni i Gjyqtarëve, Gjykata Kushtetuese i është përmbajtur parimit se për këtë gjë, do të respektojë vendimin e Komisionit të Venecias dhe ky Komision është shprehur lidhur me kushtetueshmërinë e këtij ligji, duke i dhënë notë kaluese. Fakti që në këtë rast i ka shmangur këto procedura, është i dyshimtë dhe të krijon idenë se ka një koordinim mes paditësve dhe vetë Gjykatës, kundër ligjit.
Së treti, Gjykata ka injoruar “legjitimitetin” e kërkesës së bërë nga shoqatat, pasi ka pranuar kërkesën e firmosur nga një avokat, ndërkohë që në këto raste, sipas statutit të këtyre shoqatave, një kërkesë e tillë duhet të bëhet nga vendimi i Bordit të Asamblesë së Shoqatave, hollësi që Gjykata duhet ta shqyrtonte para se të pranonte kërkesën. Injorimi i saj, lë përsëri dyshime.
Së katërti, kërkesa godet thelbin e ligjit të Vetingut. Sfida që bën vetë Gjykata Kushtetuese, duke pranuar kërkesën, ndërkohë që ligji po zbatohet, është shumë domethënës. Pra kemi një situatë, kur Gjykata Kushtetuese ka humbur besimin se politika mund ta ndale procesin, siç mund t’i ishte premtuar, dhe po i hap rrugë bllokimit të ligjit. Derisa ishte e ngritur çadra dhe kishte përbetime kundër ligjit, Gjykata veproi korrekt. Sapo u bë marrëveshja, Gjykata pranoi një kërkesë që praktikisht sfidon ligjin. Kjo bëhet dhe më e rëndë, kur shikon se kërkesa thelbësore është heqja e kompetencave të Komisionit të Vetingut për të hetuar lidhjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe rrethit të tyre të afërt, me krimin e organizuar.
Së pesti, po synohet të humbet kontrolli civil jashtë sistemit mbi Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ)dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë(KLP).
Siç është sot në ligj, KLGJ përbëhet nga 6 gjyqtarë dhe 5 jo gjyqtarë, çka siguron një lloj balance të kontrollit të sistemit nga jashtë sistemit. E njëjta gjë dhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku parashikohet që të jenë 6 prokurorë dhe 5 jo prokurorë. Kërkesa synon t’i minimizojë në tre vetë anëtarët jashtë sistemit, për të garantuar mbrojtjen e njëri- tjetrit, brenda sistemit.
Së gjashti, kërkesa synon të ulë standartet e institucioneve të tilla si SPAK, apo Gjykatës Antikorrupsion, duke zbutur referencat për cilësitë e anëtarëve dhe duke anashkaluar filtrat që garantojnë cilësi. Në këtë kontekst përfshihet dhe kërkesa për garancitë mbrojtëse për këta gjyqtarë, si dhe standartet për pagesën e tyre, bazuar në ngarkesën reale.
Kërkesa e tyre quan antikushtetues, faktin që gjyqtarët duhet të paguhen në bazë të ngarkesës reale që kanë mbi numër çështjesh.
Së shtati, kërkesa synon të shfuqizojë atë që reforma e ka parashikuar si “dorëheqje të privilegjuar” dhe që ka të bëjë me faktin, se çdo gjyqtar apo prokuror që nuk dëshironte t’i nënshtrohej këtij filtri, mund të jepte dorëheqje para fillimit të procesit. Për këtë u la tre muaj kohë. Kërkesa synon të fshihet ky afat, dhe të mos vendoset kufizim për kohën, kur një gjyqtar apo prokuror jep dorëheqjen nga sistemi nga frika e Veting-ut, duke e bërë jo efektive këtë lloj amnistie që i është dhënë pjesës së korruptuar të sistemit.
Të gjitha këto kërkesa, nëse miratohen nga Gjykata Kushtetuese, praktikisht asgjesojnë ligjin e Veting-ut dhe thelbin e reformës në drejtësi. E gjithë kjo ndërmarrje dy vjeçare, që konsumoi aq shumë energji kombëtare dhe ndërkombëtare, bëhet e pavlefshme.
Alarmi është serioz dhe duket se ka përfshirë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë, në Bruksel dhe Uashington.
Ajo që do t’i ndodhë Shqipërisë është më e rëndë se sa e mendojmë. Nuk do të ketë rëndësi fare nëse do të kemi zgjedhje të lira, fitues konsensual apo legjitim, mungesë incidentesh apo tone të ulëta politike. Bashkimi Europian do ta konsiderojë dështim reformën në drejtësi, negocitat nuk do të çelen, projektet ndërkombëtare për të ndihmuar drejtësinë në Shqipëri do të stopojnë, imazhi i Shqipërisë do të nxihet, investitorët e huaj do të largohen, duke na parë si një vend të pashpresë dhe ne do të mbetemi nën mbretërinë e një tufe gjyqtarësh dhe prokurorësh të korruptuar, që për të shpetuar karrigen e tyre, duan të hedhin në erë të ardhmen e Shqipërisë.
Ndaj kjo situatë nevojitet të ketë një artikulim të qartë politik. Edi Rama duhet të dalë publikisht dhe të deklarojë nëse e mbeshtet këtë kërkesë apo e dënon me forcë.
Lulzim Basha duhet të dalë publikisht dhe të deklarojë nëse e mbeshtet këtë kërkesë apo e dënon me forcë.
Petrit Vasili duhet të dalë publikisht dhe të deklarojë nëse e mbeshtet këtë kërkesë apo e dënon me forcë.
Ilir Meta si president i zgjedhur dhe kryetar aktual i Kuvendit po ashtu duhet të dalë publikisht dhe të deklarojë nëse e mbështet këtë kërkesë, apo e dënon me forcë.
Nga mënyra se si reagon faktori politik ndaj kësaj kërkese ogurzezë, ne duhet të kuptojmë nëse gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, janë të vetëm në këtë histori, apo kanë nga pas politikën. Dhe duhet ta rinisim betejën aty ku ka rezistencë. Kundër çdokujt që tenton të kthejë Shqipërinë, nga një vend ku duhet të sundojë ligji, në një vend ku sundojnë gjyqtarët e prokurorët./tema
Diskutime rreth kësaj post