Nga viti 2026, qytetarët që kanë më shumë se një banesë do të përballen me një rritje të ndjeshme të taksës së pronës, duke paguar nga dy deri në katërfish më shumë.
Aktualisht, taksa e pronës vilet nëpërmjet faturës së ujit me një përqindje prej 0.05%, e cila do të rritet në 0.1%-0.5%. Për shembull, taksa për një pronë me vlerë 130,000 euro, aktualisht është 65 euro por me hyrjen e ligjit në fuqi kjo taksë do të shkojë deri në 260 euro. Sidoqoftë, për shtëpinë e parë, këshilli bashkiak ka skema për uljen e taksimit.
Përmes këtyre ndryshimeve Ministria e Financave thotë se do të garantohet rritja e të ardhurave nga kjo taksë.
“Aktualisht, taksa mbi pasuritë e paluajtshme në Shqipëri kontribuon në masën 0.3% të PBB-së, ndërkohë që të ardhurat mesatare që gjenerohen nga taksa e pronës në vendet e tjera të rajonit janë rreth 0.8% e PBB-së”.
Aktualisht, deri në gusht, buxheti i shtetit ka mbledhur rreth 55 milionë euro nga taksa e pasurisë. Ndryshimet në taksimin e pronave janë të lidhura edhe me procesin e rivlerësimit, i cili ka ngecur. Ky proces duhet të rishikojë çmimet e referencës, veçanërisht në 14 bashki, për të stabilizuar tregun dhe për të lehtësuar transaksionet.
Rivlerësimi i fundit filloi në vitin 2020 dhe u përfundua në gusht të 2022, duke sjellë një rritje të të ardhurave për buxhetin e shtetit me 12.7 miliardë lekë.
Në Tiranë qytetarët tashmë paguajnë një taksë më të lartë për shkak të rishikimit të çmimeve të referencës, duke u rritur nga 30% deri në 75%. Ndërsa jashtë Tiranës, çmimet e referencës do të rishikohen përmes një projektligji të ri.
Vlen të thuhet se nga Censi 2023, ka rezultuar se një në tre banesa ose mbi 356 mijë të tilla janë bosh në të gjithë territorin e vendit pasi investimi i parave në prona është kthyer në trend vitet e fundit.
Diskutime rreth kësaj post