Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shpërthen në deklarata të ashpra kundër kryeministrit Edi Rama, i pyetur në lidhje me mini-shengenin ballkanik. Ndryshe nga Edi Rama që thotë se Kosova po vetëpërjashtohet dhe izolohet nga mini-shengeni, Haradinaj kundërpërgjigjet duke i thënë kryeministrit shqiptar se nuk ka pse përzihet me punët e Kosovës.
Haradinaj s’ka kursyer as ironinë teksa duke iu drejtuar Ramës ka thënë se ai mbajti zgjedhje njëpartiake, ndryshe nga Kosova ku morën pjesë të gjitha partitë dhe rezultati nuk u kontestua.
“Kush është kryeministri Rama t’i kallëzoj Kosovës çka o ka bohet me Kosovën. Le të kallëzojë ai qysh i ka mbajtë zgjedhjet veç një parti, nëse koka aq i mençur e po i ditka krejt punët e rajonit e Kosovës. Ai le të kallëzojë qysh veç ni parti i mbajti zgjedhjet në Shqipëri. Shihni zgjedhjet në Kosovë, të gjitha partitë kanë marrë pjesë, askush s’e ka mohu rezultatin zgjedhor”, ka thënë sot Haradinaj.
Haradinaj e akuzon Ramën se ka gënjyer me deklaratën për heqjen e vizave, pra se Kosovës do t’i liberalizohen vizat nëse heq taksën ndaj Serbisë.
“Nuk qëndron ajo që ka thënë ai, ato janë krejt pallavra. As kryeministri Macron as kancelarja Merkel nuk e kanë qitë në tavolinë, qe vizat, hiqe taksën. Unë i Kosovës jam, nëse i dhemb dikujt heqja e vizave nuk do ta pranoja atë. Nuk janë ata të tillë, janë shefa të shteteve, nuk punojnë ashtu, i kanë do formula, do kritere qysh bëhen këto punë”, ka potencuar Haradinaj.
Kryeministri në detyrë ka thënë se veprimeve të Edi Ramës po ua sheh sherrin edhe Kosova.
“Nëse është kështu pse s’po ia japin negociatat z. Rama nëse qenka kaq i mençur. Dobësitë e tij po i bëjnë dëm edhe Kosovës beso”, ka shtuar kreu i AAK-së.
Në fund teksa ka folur për idenë e prekjes së kufijve, Haradinaj ka thënë se një ide e tillë ka qenë vdekjeprurëse, të cilën është detyruar ta luftojë.
Diskutime rreth kësaj post