Hera e parë që një përfaqësues nga Ballkani ngjitet si anëtar me të drejta të plota dhe të drejtë vote në bordin e GFC (Fondi i Gjelbër i Klimës) i takon një një shqiptare, zv.ministres së Turizmit, Ornela Çuçit. Ajo është zgjedhur anëtare e Bordit të organizatës ndërkombëtare të Fondit të Gjelbër të Klimës, pozicion prestigjoz të cilin do ta mbajë për dy vite.
Gjithashtu ajo prej 2019-ës është pjesë e Bordit të GEF(Lehtësirat Globale të Mjedisit) që ka një vëllim të përgjithshëm financimi 32 miliardë dollarë.
“Prej disa muajsh jemi duke punuar ngushtë me kabinetin e Kryeministrit në mënyrë që të nxisim një iniciativë rajonale, te kryesuar nga Shqipëria, për një qasje rajonale ne akselerimin e fondeve për vendet e Ballkanit Perëndimor” shprehet Çuçi pas zgjedhjes në Bordin e Fondit të Gjelbër të Klimës.
Sipas saj rajoni ofron shumë mundësi për luftën kundër ndryshimit të klimës, por për fat të keq, GCF ishte në gjendje të aprovojë vetëm tre projekte në vendet e Ballkanit Perëndimor deri më tani.
“Rajoni përballet me sfida të shumta për shkak të kapaciteteve të kufizuara institucionale dhe bashkëpunimit. Për më tepër, reagimi i vendeve ndaj efekteve të ndryshimit të klimës është sporadik, i drejtuar nga projekte sporadike dhe jo i bazuar në një qasje rajonale”, shprehet ajo.
OKB dhe BE i kanë dhënë rëndësi të veçantë fondeve për mjedisin gjatë 10 viteve të fundit, ndaj edhe Shqipëria prej vitesh aderon në organizma të tillë si Global Environment Facilities dhe Green Climate Fund.
Mundësia e thithjes së këtyre fondeve, kryesisht GRAND, por edhe mundësi për kredi, është pothuaj e pashfrytëzuar fare, si nga vendi ynë, edhe nga të gjithë vendet e Ballkanit, të cilat janë gjithnjë në fund të tabelave statistikore për financim.
Fondi i Gjelbër i Klimës u themelua nga Konferenca e Palëve në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës dhe ka një vëllim të përgjithshëm financimi deri në 10 miliardë dollarë.
Diskutime rreth kësaj post