Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në takimin e sotëm në Bruksel ka propozuar një marrëveshje me 6 pika, por që ajo është refuzuar ende pa u lexuar.
“Unë propozova një marrëveshje të shkruar me 6 nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua, pra atë çfarë kisha kërkuar herën e kaluar që të kemi një deklaratë të paqes e kam përgatitur në mënyrë në një tekst me gjashtë nene, mirëpo u refuzua ende pa u lexuar”, tha Kurti.
Sipas tij, refuzimi pa lexim për të tregon mungesë gatishmërie për marrëveshje.
Kurti tutje tha që në takim janë treguar edhe 11 pikat në të cilat Serbia e bllokon Kosovën në treg, mirëpo këto nuk u dëgjuan.
“Zëvendëskryeministri Bislimi lexoi 11 pikat që paraqesin 11 barrierat që vendos Serbia ndaj Kosovës në aspektin tregtar dhe ne kemi kërkuar që ato të eliminohen, mirëpo nuk dëshironin që të dëgjonin as për këtë”, tha Kurti.
Kurti tregoi se muajin gusht dhe shtator pritet të ketë takime të tjera.
“Kur ishte te dakordimi për një deklaratë të përbashkët ne ishim dakord për pikën që në fund të muajit gusht të takohen udhëheqësit e delegacioneve tona, gjithashtu te këtë edhe një takim tjetër në muajin shtator midis krerëve të dy vendeve”, tha kryeministri.
Kurti tha që ka propozuar që tek të pagjeturit të futet edhe togfjalëshi ‘ballafaqimi me të kaluarën’, mirëpo sipas tij kjo është refuzuar nga Vuçiq e është përkrahur nga shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Insistuam që aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit të futet edhe fjala ‘ballafaqimi me të kaluarën’, kjo u pranua nga Borell por u refuzua nga Vuçiq”, tha Kurti.
Sot kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar takimin e dytë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Pas këtij takimi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha që nuk janë pajtuar për asgjë duke thënë që kryeministri Kurti është kthyer në shekullin XIX.
Diskutime rreth kësaj post