Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Serbia duhet ta bëjë pjesë të dialogut.
Kurti ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë nuk janë normale dhe ato normalizohen vetëm me njohje reciproke në kuadër të dialogut në Bruksel.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një marrëveshje e cila është bërë në vitin 2013, pastaj, kur është konkretizuar në vitin 2015, nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Merreni me mend, 33 marrëveshja janë bërë në Bruksel, Serbia këmbëngul në atë marrëveshje që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk e mohoj që, në kuadër të dialogut, Serbia do ta ngrejë si çështje Asociacionin si model për të zgjidhur çështjet e të drejtave të pakicave kombëtare. Le ta bëjë në kuadër të dialogut që duhet ta zhvillojmë në Bruksel”, ka thënë Kurti në një intervistë për A2CNN.
Kurti ka thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë, duhet të jetë ligjërisht e obligueshme, e garantuar nga Konventa e Vjenës për Ligjin e Trakteteve.
“BE dhe SHBA po ndihmojnë që të intensifikohet dialogu drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, ndërkombëtarisht të njohur, në kuptimin e Konventës së Vjenës për Ligjin e Traktateve, sepse vetëm kështu do ta kemi qëndrueshmërinë e marrëveshjes dhe garancinë e zbatimit”, ka thënë ai.
Diskutime rreth kësaj post