Njohja e pavarësisë së Kosovës është e vetmja alternativë për të zgjidhur konfliktin Serbinë. Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi në Prishtinë ku priti delegacionin e eurodeputetëve.
“Në dialog në Bruksel jemi për një kapitull të ri të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, ku zgjidhim çështjet e pazgjidhura me njohje reciproke“, ka thënë Kurti.
Në takim ishte edhe e pranishme me përfaqësuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Gjatë një deklarate për mediat, Kurti është shprehur se kanë diskutuar mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, mbi procesin e liberalizimit të vizave. Sipas Kurtit, fokusi është vënë edhe tek mbështetja që BE ka ofruar për Kosovën për të përballuar pandeminë COVID. Ndërkohë është diskutuar edhe mbi operacionin e policisë kundër kontrabandimit të mallrave në veri të Kosovës.
“Ky ishte një operacion normal i Policisë, e cila ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe sipas procedurave ligjore”, tha Kurti.
Von Cramon ka falënderuar qeverinë e Kosovës për strehimin e afganëve, si dhe ka folur edhe për reformat e nisura në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në Kosovë janë rreth 700 afganë të strehuar, të cilët janë evakuuar nga Shtetet e Bashkuara, pas marrjes së kontrollit të talebanëve në Afganistan. Rreth 100 prej tyre tashmë janë larguar nga Kosova drejt Mbretërisë së Bashkuar. Afganët e tjerë do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë dhe pritet të zhvendosen në SHBA, apo vende tjera evropiane.
Diskutime rreth kësaj post